Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka reaguar së fundmi lidhur me reagimet publike të dy aktorëve të pushuar nga puna në Teatrin “Migjeni” si rrjedhojë e “mungesës së efikasitetit, efektivitetit, produktivitetit dhe cilësisë në punë”.
Bëhet fjalë për aktorin Simon Shkreli dhe regjisorin Vladimir Doda, të cilët kanë pretenduar se janë larguar nga puna e tyre disa vjeçare padrejtësisht, duke akuzuar se të gjitha shkarkimet janë bërë me urdhër politik të Benet Becit.
Kryebashkiaku Beci shkruan se dy aktorët janë pushuar nga Teatri për shkak të mospërmbushjes së pritshmërive dhe objektivave të sezoneve teatrale.
“Ne nuk dimë se me çfarë meritash apo kriteresh janë punësuar në trupën e teatrit dy zotërinjtë me të cilët është ndërprerë raporti i punës, por bazuar në tetarin që mund të lexoni më poshtë, rezulton se asnjëri prej tyre nuk ka patur EFIKASITET, EFEKTIVITET, PRODUKTIVITET DHE CILËSI NË PUNË.
Talent lind, nuk të bën partia!”, shkruan Benet Beci në postim duke përjashtuar çdo mundësi të ndikimit politik në drejtimin e Teatrit të Shkodrës.
Reagimi i plotë i kryebashkiakut të Shkodrës:
Sqarim për opinionin publik
Në kuadër të riorganizimit në prag të nisjes së sezonit të ri artistik, pak ditë më parë Drejtoria e Kulturës në Bashkinë e Shkodrës bëri një bilanc të punës individuale të secilit nga pjesëtarët e trupës profesioniste të aktorëve të Teatrit Migjeni, falë të cilit u arrit në përfundimin që disa prej tyre nuk i kishin përmbushur pritshmëritë dhe objektivat e sezoneve të mëparshme.
Dëshirojmë të theksojmë se ky riorganizim jo vetëm që nuk cënon cilësinë apo numrin e shfaqjeve të programuara për sezonin artistik të ardhshëm të Teatrit Migjeni, por përkundrazi synon të forcojë dhe përmirësojë më tej veprimtarinë artistike dhe organizative të institucionit.
Në një trupë artistike, ashtu si në çdo sektor tjetër të administratës, ka detyrime të një kontrate pune, e cila në rast moszbatimi apo mosrealizimi, vjen një moment dhe ndërpritet.
Për më tepër kur këto mosrealizime nuk janë periodike, por për tre vite, 12 muaj pa ndërprerje, me kontributin e taksapaguesve shkodranë.
Në respekt të këtyre të fundit kemi detyrimin të mos lejojmë që asnjë nga paratë e tyre të përfundojë duke paguar rroga të pamerituara siç ka ndodhur për vite me radhë në këtë institucion. Bashkia Shkodër ka në themel të punës së saj përkushtimin dhe angazhimin e përditshëm maksimal dhe këtë e ka injektuar te çdo individ, duke filluar nga punonjësit e shërbimeve të bashkisë që pavarësisht kushteve të motit vijojnë punën për rritjen e cilësisë së jetës në qytet, e deri tek ata që mbushin sallat e sheshet me performacat e tyre artistike.
Por siç ndodh shpesh në një shoqëri të polarizuar si e jona në raste të tilla shfaqen pakënaqësitë, kundërshtimet dhe përdorimi politik i individëve. Furtuna në gotë kësaj radhe përfshiu gjithë skalionet politike të së djathtës në aksin Shkodër – Tiranë, paçka se gota ishte tërësisht e boshatisur.
Por e vërteta është krejt e ndryshme nga ky përdorim politik tipik. Sepse faktet janë në tetarin e shfaqjeve sipas viteve, aty ku shihet se sa ka shkelur në skenën e teatrit secili aktor i “Migjenit”.
Ne si bashki nuk kemi asnjë arsye të demaskojmë individët, por në këtë rast nuk kemi pse t’i fshehim paaftësitë individuale të aktorëve të larguar, madje nuk duam as të diskutojmë në këto rreshta se sa regjisorë i kanë skualifikuar si të papërshtatshëm dy personat e larguar nga puna.
Ne nuk dimë se me çfarë meritash apo kriteresh janë punësuar në trupën e teatrit dy zotërinjtë me të cilët është ndërprerë raporti i punës, por bazuar në tetarin që mund të lexoni më poshtë, rezulton se asnjëri prej tyre nuk ka patur EFIKASITET, EFEKTIVITET, PRODUKTIVITET DHE CILËSI NË PUNË.
Talent lind, nuk të bën partia!
Së fundmi, duam t’u kujtojmë të gjithë artdashësve shkodranë dhe më gjerë se para rreth një viti e gjysmë u ngrit një flakë kashte e ngjashme ”në mbrojtje” të Teatrit Migjeni, i cili do të “shkrihej”. Sot jemi të gjithë dëshmitarë të punës së bërë për forcimin e cilësisë artistike, shtimin e numrit të shfaqjeve si dhe përmirësimin e kushteve të punës për aktorët, regjisorët dhe për vetë publikun.
Sezoni i ardhshëm artistik do të jetë pa diskutim një sukses i vërtetë për Teatrin “Migjeni” dhe trupën e tij artistike – ashtu siç Shkodra e meriton!