Përmes një telegrami ngushëllimi, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shprehur keqardhjen për humbjen e tre shtetasve kosovarë në vendin e punës në Austri.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen tragjike të jetëve të bashkatdhetarëve tanë: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj, si pasojë e aksidentit të rëndë në një kantier ndërtimi në Vjenë.
Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne.
Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave.
Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.
I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn” thuhet në mesazhin ngushëllues të Osmanit.

