Presidenti malazez i prerë: Nëse nënshkruhet marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe, të dielën ia rrëzoj qeverinë Abazoviçit

Presidenti malazez Milo Gjukanoviç njoftoi se nëse Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe do të nënshkruhet javën e ardhshme, do të kërkojë zyrtarisht rrëzimin e qeverisë.

Komentet ai i bëri në një intervistë për N1, ku theksoi se interesat shtetërore të Malit të Zi nuk ishin të mbrojtura sa duhet në tekstin e asaj kontrate.

Ai shtoi gjithashtu se kjo kontratë përmban pjesë të cilat “falsifikojnë historinë e Malit të Zi”.

Presidenti malazez tha se beson se Kushtetuta dhe ligjet e Malit të Zi janë shkelur në disa pika të tekstit të Marrëveshjes Themelore, ndërsa ka shtuar se marrëveshja do të ishte e pranueshme për nënshkrim nëse nuk do të kishte interpretime të historisë.

Gjukanoviç ka paralajmëruar edhe një datë se kur mund të bjerë qeveria e kryeministrit Abazoviç, duke caktuar të dielën si ditën për të vepruar.

“Abazoviç vendosi krejt papritur të riformulojë prioritetet e agjendës së qeverisë, në mënyrë që në vend të përmbushjes së kapitujve 23 dhe 24 të negociatave, të vinte në plan të parë nënshkrimin e kontratave për çështje me interes të përbashkët për Qeverinë e Malit të Zi dhe Kishën Serbe. Ai vendosi të mos pranojë një proces më gjithëpërfshirës para se qeveria të marrë një vendim. Gjithçka që është bërë në atë plan është bërë shumë ngathët”, u shpreh presidenti malazez./albeu.com/