Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski nuk ka humbur kohë dhe një ditë pas miratimit në kuvend ka dekretuar ndryshimet në Kodin Penal, me anë të të cilave ulen dënimet për shpërdorim detyre për zyrtarët publikë. Në arsyetimin që shoqëron dekretin në fjalë, Kabineti i Presidentit, mes tjerash, thekson se me këto ndryshime nuk parashikohet amnistimi.
“Ndryshimet e Kodit janë të harmonizuar me direktivën evropiane për ngrirjen dhe konfiskimin e sendeve dhe pronës, që krahas dënimit me burg, fokusi vihet në marrjen e pronës nga kryerësit e këtyre veprave penale.”
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski i ka hedhur poshtë pretendimet se miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal është bërë si pjesë e të ashtuquajturave “pazare politike”, në këmbim të mbështetjes së opozitës për ndryshimet kushtetuese.
“Nëse ka amnisti sot dikush duhej të amnistohej, për shkak se ligji është dekretuar nga Presidenti. Nuk ka pazare politike me këto ndryshime. Ato kaluan në diskutim publik parlamentar. Gjithë pajtohemi se vendi duhet ta harmonizojë legjislativën me BE-në dhe ky është hap në këtë drejtim”
VMRO-DPMNE-ja thotë se Pendarovski me këtë veprim kërkon që të marrë mbështetje nga LSDM-ja dhe BDI-ja, edhe për një mandat tjetër për president të vendit.
Menjëherë pas dekretimit, ndryshimet në Kodin Penal u botuan edhe në Fletoren Zyrtare, çka i hap rrugën zbatimit të tyre./Klan Macedonia