Presidenti Begaj uron Maia Sandu për fitoren në Moldavi: Suksese në rrugën tuaj evropiane

Këtë të hënë, presidenti i Republikës Bajram Begaj, përshëndeti fitoren e Presidentes properëndimore të Moldavisë, Maia Sandu, e cila triumfoi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën të dielën.

Në një mesazh të publikuar në profilin e tij zyrtar në platformën X, Presidenti Begaj, i uron fitoren Maia Sandu në këtë mandat të dytë si Kryetare e Shtetit, ndërsa konfirmon vijimësinë e bashkëpunimit të Shqipërisë më Moldavinë, si dy vende të linjëzuara me politikat Euroatlantike.

Postimi i Begajt:

“Urime Presidente Maia Sandu për fitoren në zgjedhjet presidenciale të Moldavisë! Ju uroj suksese në drejtimin e Moldavisë në rrugën e saj evropiane. Shqipëria qëndron përkrah Moldavisë!”, – shkruan Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.


Shtuar 4.11.2024 12:27