Presidenti Begaj: Shqipëria evropiane lidhet me përpjekjen e vazhdueshme për shtetin e së drejtës

Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, e cila që prej vitit 2007 ndihmon në edukimin e thelluar për mirëqeverisjen dhe demokracinë.

Presidenti i Republikës përshëndeti pjesëmarrësit e gjeneratës 2024 të shkollës, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, administratës qendrore dhe vendore, shoqërisë civile dhe medias.

Duke vlerësuar punën e tyre, Begaj tha se ky takim me ta nuk është vetëm një ceremoni formale diplomimi.

“Për secilin prej jush tashmë çelet një kapitull i ri, në të cilin dijet dhe përvoja që keni fituar këtunuk i shërbejnë më vetëm avancimit personal në karrierë. Kontributi dhe angazhimi juaj konkret i shërben ndërtimit të një shoqërie më të mire”, tha Begaj.

“Shqipëria ka nevojë për një frymë të re, për një angazhim politik dhe shoqëror ku idetë duhet të ballafaqohen me argumente, ku kundërshtari shihet si bashkëkonkurrues”, tha Begaj.

“Kultura politike që kultivohet këtu duhet të reflektohet kudo: në jetën politike e publike, në administratë, në sipërmarrje dhe në media”, vijoi ai.

“Shqipëria evropiane nuk lidhet vetëm me anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian, por edhe me përpjekjen e vazhdueshme për konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit vuri në dukje se demokracia nuk është një monument që ndërtohet një herë dhe mbetet e tillë.

“Shteti i së drejtës nuk ka të bëjë vetëm me performancën e institucioneve të drejtësisë. Ai lidhet drejt për së drejti me respektin dhe zbatimin rigoroz të ligjit nga institucione të çdo niveli, qendrore apo lokale, nga çdo drejtues dhe nëpunës i administratës publike, nga çdo qytetar”, u shpreh Begaj.

“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është thjesht çështje politike, por një proces transformimi i thellë i mënyrës se si ne qeverisim, si ndërtojmë institucione dhe si mendojmë për të ardhmen”, shtoi ai.

“Shqipëria ka nevojë për ekspertë të aftë e profesionistë që adresojnë sfidat dhe ofrojnë zgjidhje për të gjitha reformat dhe problematikat në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE”, tha Begaj.

“Shoqëria jonë duhet të avancojë pa lënë askënd mënjanë e pas.  Në qeverisje, arsim, shëndetësi, zhvillim ekonomik e teknologjik, bujqësi e kulturë, politikat tona duhet të jenë gjithëpërfshirëse”, theksoi ai.

Begaj falënderoi Këshillin e Evropës për mbështetjen e palëkundur që i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj demokratik, në forcimin e institucioneve dhe në edukimin e një brezi të ri drejtuesish sikundër edhe iu uroi suksese të sapodiplomuarëve.


Shtuar 26.02.2025 13:59

Tags: ,