“Policia mos lëviz”, si ju grabit makina çiftit në Tiranë teksa kryenin marrëdhënie seksuale. Mjeti u përdor në vrasjen e Besnik Hidës

Teksa Leart Haxhiu po zhvillon betejën e tij ligjore me drejtësinë Greke, duke shpresuar ti shpëtojë ekstradimit në Shqipëri, prokuroria e Fierit vijon hetime për rastin e vrasjes së Besnik Hidës, ngjarje e ndodhur në 1 Tetor 2019 në qytetin e Lushnjës.

Për këtë krim, është arrestuar Orges Bilbili, ndërsa janë shpallur në kërkim ndërkombëtar Laert Haxhiu dhe Ardian Ahmeti. Por gjatë veprimeve hetimore, prokuroria ka zbuluar se mjeti tip “Fiat Croma” që është përdorur në vrasje, është vjedhur në zonën e Mëzezit në Tiranë, në një formë krejt të veçantë.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga “Ora News”, brenda mjetit me targë AA913ML ndodheshin Endri.H dhe e dashura e tij Ermira.L. Dy të rinjtë kishin parkuar makinën në zonën pas “Casa Italia” dhe teksa kryenin marëdhënie seksuale, janë përballur me persona të panjohur dhe të armatosur me pistoleta me silenciatorë.

Gjithçka ka ndodhur në 24 shtator 2019 kur rreth orës 19:40, para çiftit është shfaqur një person duke i thënë “…Policia mos lëviz…”.

Sips dëshmisë së Endri.H, dy personat që e kishin rrethuar kanë dalë nga një automjet “Mercedes-Benz”. Njëri prej tyre e ka goditur me shuplakë, ndërsa tjetri që mbante pistoletë i ka pohuar: ”…policia mos lëviz…dilni nga makina…”.

Ky person ishte i gjatë rreth 180 cm, trup i dobët dhe me flokët të ngritura përpjetë, dhe kur fliste kishte theksin e Beratit dhe Fierit.

Endri ka dalë nga makina dhe ky person i ka vendosur sendin si pistoletë në pjesën e kurrizit dhe ai është ulur në gjunjë në rrugë pranë mjetit.

Në këtë kohë personi tjetër, i cili ishte trup i shkurtër, me trup mesatar, i cili mbante një bluzë me zinxhir, me kapuç në kokë është afruar pranë tyre, ka dalë nga pjesa e pasme e mjetit dhe prej andej ai ka zbritur Ermirën, e cila ishte në sediljen e pasme të mjetit.

Në kohën që të dy këta persona po merreshin me ta, automjeti tip “Benz Mercedes C Clasik”, është ndezur ka dhënë gaz dhe me shpejtësi është larguar.

“…personi që ishte trup vogël me kapuç në kokë, ka hipur në sediljen e drejtuesit të mjetit “Fiat Croma”. Personi me trup të gjatë që më mbante nën kërcënimim e pistoletës, ka hipur në sediljen e parë të pasagjerit dhe më pas ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së lagjes “Astir”. Sapo ata janë larguar unë kam njoftuar policinë…”-ka treguar në dëshminë e tij Endri.H.

Sipas tij makina e vjedhur në Tiranë që më pas u përdor në vrasjen e Besnik Hidës në Lushnjë, i përkistet hallës së Endrit, shtetases K.S, por për shkak se halla ishte larguar në Itali, makinën e përdorte nipi.

Rreth kësaj ngjarje është marë në pyetje dhe Ermira.L, e dashura e Endrit e cila ka treguar të njëjtat rrethana.

Nga hetimet e policisë makina tip “Fiat Croma” pas vjedhjes, ka dalë në zonën e TEG-ut duke u drejtuar në Elbasan. Pavarësisht se në Elbasan, u ngrit një postobllok policie për kapjen e makinës, sërisht nuk u realizua ndalimi.

Gjashtë ditë më pas, mjeti u përdor në 1 Tetor 2019 në vrasjen e Bensik Hidës në Lushnjë.


Shtuar 20.08.2023 12:05