Po transportonte 13 emigrantë të paligjshëm, arrestohet 24-vjeçari

Policia ka arrestuar një 24-vjeçar, i cili që u kap duke transportuar me automjet, kundrejt pagesës, 13 emigrantë nga vendet e treta që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së.

Njoftimi i policisë:

Gjirokastër

Finalizohet nga strukturat e DVP Gjirokastër dhe të DVKM Gjirokastër, operacioni policor i koduar “Road Guard 73”.

Arrestohet në flagrancë një 24-vjeçar që u kap duke transportuar me automjet, kundrejt pagesës, 13 emigrantë nga vendet e treta që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së.

Vihet në pranga dhe një shtetas pakistanez që ndihmonte emigrantët, kundrejt pagesës, që të futeshin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë.

Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 2 celularë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Seksioni Operacional i DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me DVKM Gjirokastër, në vijim të punës së pandërprerë, në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Road Guard 73”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:

D. A., 24 vjeç, banues në Korçë, pasi është kapur në flagrancë gjatë operacionit, në aksin rrugor Tre Urat-Përmet, duke transportuar me automjet, drejt Tiranës, kundrejt shumës 150 euro për person, 13 emigrantë nga vendet e treta që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së;
H. R., 33 vjeç, banues në Pakistan, pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se ndihmonte emigrantët nga vendet e treta, kundrejt pagesës 100 euro për person, që të futeshin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti dhe 2 celularë./albeu.com


Shtuar 8.09.2023 09:50