Presidenti Ilir Meta po mban një konferencë për mediat, ku ka reaguar sërish në lidhje me dhunën dhe përplasjen që ndodhi disa ditë më parë në zyrat e FRD-së.
Meta e ka cilësuar një sjellje të papërgjegjshme dhe në shkelje të ligjit atë të bashkisë së Tiranës për të nxjerrë nga zyrat partinë Fryma e Re Demokratike.
“Po e nis me një ngjarje të rëndë që ndodhi në selinë e FRD para pak ditësh. Situata e paligjshme dhe e dhunshme që ndodhi në selinë e FRD dhe sulmi i dhunshëm ndaj kësaj force politike opozitare, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të një marrëveshje me PD dhe aleatët, është një tjetër tregues i sjelljes së papërgjegjshme të mazhorancës për dëmtimin e aktivitetit të kësaj force politike. Ky sulm sic u ndoq nga të gjithë shqiptarët bie ndesh me të gjitha parimet demokratike të shtetit të së drejtës.
Të gjitha veprimet janë kryer në kundërshtim flagrant me kushtetutën dhe ligjin. E gjitha veprimtaria e kryetarit të bashkisë është në shkelje të hapur të parimeve të administratës, ajo minon barazinë para ligjit. Në ambientet e FRD ishte ngjitur diku në korridoret e saj një letër, pa origjinë, pa nënshkrim titullari, pa vulë institucioni, e dastës 3 mars me qëllim që ta bënin të dukej si një akt zyrtar. Përmes kësaj letre që nuk plotëson asnjë element minimal i kërkohej FRD lirimi i ambienteve për nevoja të bashkisë. Kjo letër nuk citonte në përmbajtjen e saj asnjë bazë ligjore apo referencë ku mbështetej ky njoftim.
Më pas rezulton se FRD i është shkëputur energjia elektrike, dhe nuk lejoheshin funksionarët, ndërkohe që kryetari ishte bllokuar brenda. Ky ishte momenti kur kreu i FRD njoftoi edhe presidentin. Me cilësinë e kryetarit të shtetit ndoqa me vëmendje situatën dhe kam shkuar për të verifikuar situatën e paprecedentë që po ndodhte aty. Jemi drejtuar për në zyrën për të biseduar. Në momentin që jemi drejtuar për në hyrjen e godinës, ajo ka qenë e rrethuar me policë. Stafi i Presidenti ka kërkuar të hapej dera. Fillimisht është hapur dera edhe është lënë të hyjë vetëm presidenti, ndërkohë që stafi bashkiak ka penguar me forcë stafin që shoqëronte presidentin dhe drejtuesit e FRD. Ky ka qenë momenti kur kam reaguar.
Edhe pasi ngjarja u bë publike, në korridoret e FRD është dërguar një shkresë për lirimin e ambienteve të FRD. Përmendet fakti që FRD paska zaptuar ambientet. Ky është një tjetër falsifikim i bashkisë. FRD ndodhet në këtë seli që prej datës 23 mars 2016 mbi bazën e një marrëveshje të lidhur më bashkinë Tiranë”, shprehet Meta.