Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për mediat dha detaje në lidhje me atë se çfarë ndodhi paraditen e sotme në kampin MEK në manyë të Durrësit.
Ai u shpreh se gjatë aksionit të sotëm në kampin e MEK janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike. Sipas tij, të strehuarit në kamp kanë tentuar të digjnin kompjuterat me qëllim që të shmangnin sekuestrimin.
Rrumbullaku tha se ka pasur kontroll në rreth 178 objekte brenda kampit. Ai u shpreh se policia ka ndërhyrë në kamp për të zbatuar një vendim të gjykatës së Posaçme dhe nuk ka ushtruar dhunë.
“Në orën 8 të mëngjesit, me disa drejtues të lartë te Policisë kemi patur një takim dhe na janë përgjigjur pozitivisht të 6 drejtuesit kryesorë të kampit. Kemi ndjekur mirëkuptimin e tyre për momentet e para. Si fillim jemi adresuar në hyrje të kampit, ku kemi kërkuar hapjen e portave, ku e kemi parë se çfarë masash sigurie ka, se nuk është aspak pronë e tyre. Dhe së bashku me drejtuesit kemi hyrë në ambientet e territorit. Më pas kemi filluar kontrollin në të gjitha objektet. Pas sekuestrimit të serverëve dhe pajisjeve në të 17 objektet, kemi hasur një rezistencë dhe dhunë nga ana e anëtarëve, por asnjëherë nuk është prekur asnjë prej tyre. Më pas policia ka filluar procedurat në të tilla raste për turmat dhe i vetmi objekt që është përdorur ka qenë spraj individual, i cili nuk ka sjellë asnjë pasojë mbi rezidencën. Policë kanë mbetur të plagosur 21 prej tyre, ku pas mjekimit në spital, 15 prej tyre janë rikthyer sërish”, tha kreu i Policisë së Shtetit.