Përmbytjet në Gjermani dhe disa vende të tjera të Europës Perëndimore kanë shkaktuar një numër të lartë viktimash. Mes familjeve të përmbytura në Gjermani ka qenë dhe një shqiptare, por fatmirësisht pa dëme në njerëz.
Gazeta gjermane “Bild” ka treguar historinë e Sheik Hysenit, babait shqiptar nga Kosova që jeton në zonën e përmbytur në Gjermani, i cili me orë të tëra nuk e dinte nëse i kishte humbur vajzat e tij, Lauretën 13 vjeç dhe Altunën 17 vjeç.
“Të mërkurën vajzat e mia më thirrën, më thanë se uji kishte arritur deri në katin e parë, vrapova për të shkuar në shtëpi, por kur mbërrita uji tashmë ishte kudo. Hera e fundit që fola me to ishte ora 21:00, më pas lidhja u shkëput”, ka thënë ai për gazetën gjermane.
Ai ishte shprehur se kishte pritur gjithë natën mbi urë për vajzat e tij, të cilat ishin shpëtuar me helikopter.
“Ne vetëm kemi qarë, kisha frikë për vajzat e mia, jam shumë i lumtur që u shpëtuan. Tani duhet të shohim se çarë ka mbetur nga shtëpia”, ka thënë ai./albeu.com