Gjykata e Vlorës ka vendosur këtë të hënë që Granit Pepnika të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai ishte ndaluar pak ditë më parë në Dhërmi dhe ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.
I njëjti vendim, “Arrest në burg”, është dhënë edhe për Xhoni Hitajn, i cili akuzohet po për “Mashtrim kompjuterik”, si dhe për Redion Rexhmatin, ndaj të cilit rëndon akuza “Përkrahja e autorit të krimit”.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve, Granit Pepnika dhe Xhoni Hitaj figuronin në kërkim që prej muajit prill, pasi më herët Gjykata e Tiranës kishte caktuar për ta masën e sigurisë “Arrest në burg” në kuadër të hetimeve për këtë çështje.
Të tre shtetasit u arrestuan të premten në zonën e Drimadhës, gjatë operacionit policor të koduar “Rrjetet”, të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit. Ky operacion kishte për synim goditjen e personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale në fushën e mashtrimeve kompjuterike dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tyre.
Hetimet, ndërkohë, po vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e dyshuar kriminal dhe për të zbuluar nëse ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.
