Përgjysmimi i urbanëve nga Shoqata, Balluku: Marrim përsipër të bëjmë avokatin tuaj

Disa ditë më parë, Shoqata e Transportit Qytetas në Tiranë njoftoi se do të përgjysmonte flotën e autobusëve në kryeqytet me arsyetimin se nuk përballojnë dot kostot për shkak të rritjes së çmimit të naftës.

Sot, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka zhvilluar një mbledhje me përfaqësuesit e kësaj shoqate për t’u njohur konkretisht me kërkesat e tyre.

Pasi i dëgjoi Balluku u shpreh se, ne marrim përsipër të bëjmë avokatin tuaj.

“Përsa i përket trajtimit financiar është shumë e qartë edhe nga kërkesa juaj, unë e diskutova edhe me nënkryetarin e bashkisë, Maznikun, që fiskalizimi është i rëndësishëm pasi do i jepte sektorit një hov të ri, nga shitja, te check-ini i tyre brenda autobusëve do të ulte evazionin. Nga ana tjetër flitet edhe për mbështetje financiare, ne e kuptojmë që akciza mund të jetë ndihmë për ju. Marrim përsipër ta diskutojmë me ministrinë e Financave por jo zgjidhjen.

Ne marrim përsipër të bëjmë avokatin tuaj. Kërkohet subvencion në shumë sektorë, por ky është sektor kritik dhe ne do ta diskutojmë të paktën për një kohë të kufizuar që mbulon pjesën e krizës. Edhe për rimbursimin e TVSH-së duhet ta shtrojmë me ekspertët dhe ministrinë e Financave dhe do të kthehemi për t’u dhënë përgjigje” tha Balluku./albeu.com

 


Shtuar 21.10.2021 17:13