Përfituan nga ajrosja për Krishtlindje, arratisen nga burgu 7 të mitur në Milano

7 të burgosur të mitur janë arratisur nga institucioni i vuajtjes së dënimit në Milano, “Cesare Beccaria”.

Gennarino De Fazio, Sekretar i Përgjithshëm i Policisë së burgjeve është shprehur se të dënuarit kanë shfrytëzuar momentin e ajrosjes që zgjati më shumë për Krishtlindje dhe kanë kapërcyer hekurat

“Të arratisurit përfituan nga punimet që po kryhen aty. Kishte disa kohë që ishte hapur një vrimë në murin rrethues. Të dënuarit kanë shfrytëzuar momentin e ajrosjes dhe kanë kapërcyer hekurat. Ndaj tyre ka nisur një operacion kërkimi nga policia. Deri tani pa sukses,”- thotë ai.

Në “Cesare Beccaria” nuk ka vetëm të mitur, por edhe persona deri në 25 vjeç.

“Shumë nga problemet që prekin burgjet konstatohen edhe në institucionet penale për të miturit. Veçanërisht, ka një rritje marramendëse të të burgosurve,”- shton zyrtari.

“Prej disa kohësh, ne kemi përsëritur se sistemi i zbatimit penal duhet të rimendohet dhe se Departamenti i Drejtësisë për të Mitur dhe Komunitet dhe Departamenti i Administratës Penitenciare duhet të riorganizohen dhe forcohen. Shpresojmë që së shpejti të jemi në gjendje të takohemi me Ministrin e Drejtësisë dhe zëvendëssekretarët për kërkimin e një rruge reformimi dhe zgjidhje konkrete që shkojnë përtej shpalljeve të thjeshta,” përfundon De Fazio.


Shtuar 25.12.2022 21:07