Një ngjarje me armë është regjistruar në një shkollë të mesme në Bavari të Gjermanisë, duke lënë pas disa të plagosur.
Të lidhura
None found
Policia bavareze bëri të ditur se episodi ndodhi në liceun Welfen-Gymnasium, në qytetin Schongau, ndërsa në pranga është vënë një 16-vjeçar që dyshohet se ka lidhje me sulmin.
Sipas konfirmimit të policisë, dy vajza kanë pësuar plagë të rënda, ndërkohë që shifra e saktë e të lënduarve ende nuk është përcaktuar. Mediat gjermane, përfshirë Bild, raportojnë se numri i të plagosurve është nën dhjetë.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që ngjarja të klasifikohet si një rast i ashtuquajtur “Amoklauf”, një term i përdorur në Gjermani për akte të dhunshme të kryera në mënyrë të pakontrolluar ndaj njerëzve që ndodhen në vendngjarje.
Schongau është një qytezë në perëndim të Bavarisë me rreth 12 mijë banorë, ndërsa shkolla Welfen-Gymnasium, ku ndodhi incidenti, ndiqet nga rreth 800 nxënës.
Ndërkohë, autoritetet kanë hapur hetimet për të sqaruar motivet dhe të gjitha rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.
