Për reportazh me Alfred Lelën, si ranë në humnerë dy alpinistët! Policia “zbardh” dinamikën e ngjarjes

Ndoc Mulaj, alpinisti 60-vjeçar që ndodhej bashkë me Alfred Lelën në malin e Munellës për të xhiruar një reportazh vijon të jetë i zhdukur prej gati 5 orësh, pas rënies nga lartësia së bashku me një tjetër koleg, ku ky i fundit arriti të nxirrej i gjallë.

Në njoftim zyrtar policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me ngjarje që ka ndodhur rreth orës 16:00 të pasdites së sotme.

Sipas bluve gjatë ngjitjes në këmbë dy prej alpinistëve kanë rënë nga lartësia duke përfunduar në humnerë. Pas dy orësh kërkime është bërë e mundur gjetja e I. Sh., rreth 30 vjeç ndërkohë që Mulaj vazhdon të jetë i zhdukur.

Policia po vijon kërkimet në zonë por operacioni i shpëtimit bëhet akoma më i vështirë për shkak të terrenit të vështirë, motit të ftohtë dhe errësirës.

“Policia e Pukës, shërbimet e zjarrëfikses dhe banorë të zonës i kanë ardhur në ndihmë disa alpinistëve. Sot rreth orës 16:10, jemi njoftuar nga shtetasi A. L., se ka qënë duke eksploruar në Malin e Munellës së bashku me 4 alpinistë amatorë.

Gjatë lëvizjes në këmbë 2 prej tyre, shtetasit N. M., rreth 60 vjeç dhe I. Sh., rreth 30 vjeç, kanë rrëshkitur duke rënë në humnerë. Menjëherë kanë nisur kërkimet nga shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrëfikses, pjestarë të shoqatës së alpinistëve Pukë të cilët janë ndihmuar dhe nga banorë të zonës.

Pas 2 orëve kërkimesh në një terren shumë të vështirë është bërë e mundur gjetja e shtetasit I. Sh., i cili po transportohet në spital për ndihmë mjekësore si dhe vazhdojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit N. M”, njofton policia./albeu.com/


Shtuar 30.12.2021 21:21