Pacolli kritikon qeverinë për 100 eurot, ja ku duhej të investoheshin

Sipas kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, vendimi i qeverisë për ndarjen e 100 eurove për disa kategori “është treguesi më i mirë që qeveria nuk ka vizion për ekonomi”.

Ai i ka bërë disa llogaritje në Facebook, për t’i treguar “nga përvoja” kryeministrit Albin Kurti, se çfarë do të mund të bënte në vend të kësaj.

Pacolli ka pyetur në Facebook se cila është vlera e kthimit të 100 milionë eurove që do të shpërndahen. Sipas tij, këto para do të duhej të investoheshin në sektorin privat.

“Asnjë i ri i punësuar, asnjë rritje ekonomike! Po të investoheshin këto para në sektorin privat, kjo do të garantonte rritje të qëndrueshme ekonomike”, shkroi ai.

“Me ato para, do te ndërtoheshin mbi 40 fabrika ( galanterie, konfekcione apo agro-ekonomi) anë e mbanë Kosovës, ku do të gjeneroheshin mbi 4000 vende pune, d.m.th 4000 familje me nga 5 persona, do ishin 20 mijë përfituës drejtëpërsëdrejti”, ka shtuar ai.

Më pas, Pacolli i është drejtuar Kurtit.

“Kryeministër, përvoja më ka mësuar shumëcka në jetë”. Por, “paqja sociale nuk blehet me para, por me krijimin e mundësive”, shktoi ai, me një këshillë: “mos jepni peshk, por mesoni si tē peshkon”!!!!”

“Mungesa e vizionit nuk mund të zëvendësohen me lëmoshë!”, shkruan Pacolli./ Gazetaexpress.com


Shtuar 14.04.2022 18:20