Pacienti dhunon infermierin, mjekja: Mungojnë ambientet e izoluara

Pas dhunimit të infermierit nga një pacient në Spitalin Psikiatrik të Shkodërs, ka reaguar mjekja Mirela Gjokaj.

Gjokaj ka thënë se, i riu 25-vjeçar është shtruar në gjendje të rënduar dhe pas ndërhyrjes mjekësore ka shfaqur shenja përmirësimi. Një orë më pas, ai është përkeqësuar sërish dhe ka shfaqur shenja agresiviteti duke sulmuar personelin dhe duke rrëzuar objekte.

“Konkretisht tek ne ka ardhur për t’u hospitalizuar një djalë 25-vjeçar i cili ishte në gjendje të rëndë të shëndetit mendor. Ka ardhur i shoqëruar nga ambulance dhe forcat e rendit. I kemi bërë ndërhyrje mjekësore, por tek ne mungon dhoma e izolimit. Rasti një orë pas marrjes së terapisë, është axhituar përsëri dhe ka sulmuar stafin.

Ka vazhduar më tej duke shprehur agresivitetin e tij kundrejt ambienteve të spitalit, ka tentuar të thyejë xhamat e makinave të parkuara jashtë. Kanë reaguar menjëherë forcat e rendit. Ai është dërguar në psikiatrinë e QSUT-së.

Infermieri është mirë por të gjithë si staf jemi të traumatizuar. Përballja me sulmin dhe agresionin është një traumë më vete. Ka pasur edhe raste të tjera. Te ne qëndron problemi i infrastrukturës. Nuk kemi mjete të mbrohemi nga këto forma të axhitimit”, u shpreh mjekja./albeu.com

 


Shtuar 23.06.2021 14:15

Tags: