Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau. Osmani ka marrë mbështetjen e Kanadasë në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e për njohje të reja të shtetit.
Kjo është bërë e ditur nga Presidenca, pas takimit që e para e shtetit pati me kryeministrin kanadez. Gjithashtu, Presidenca thotë se Osmani ka thënë në takim se synimi i Kosovës është integrimi në strukturat euro-atlantike.
“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova po zbaton reforma gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë forcimin e rendit dhe ligjit, por edhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës. Duke folur për gjendjen aktuale në rajon, Presidentja Osmani ka theksuar se diskursi nxitës nga Serbia i mbështetur edhe nga shtrirja e ndikimit rus në rajon, paraqesin rrezik potencial për destabilizim të rajonit dhe janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Sipas njoftimit, në takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
“Kryeministri Trudeau ka përgëzuar Presidenten Osmani për mandatin që ka për të shtyrë përpara shumë nga vlerat që kanë rëndësi për Kanadanë. Tutje, ai theksoi se qëndrimi i vendosur i Presidentes për demokracinë dhe kundër korrupsionit, pikëpamjet progresive qoftë për mjedisin apo për fuqizimin e grave, janë fusha në të cilat Kanada pret të punojë me Kosovën. Presidentja Osmani ka potencuar shumë fusha në të cilat mund të hapen kapituj të ri të bashkëpunimit me Kanadanë, nga fusha e mbrojtjes e diplomacisë e deri tek tregtia e arsimi. Sipas saj, Kosova mund të përfitojë nga përvoja kanadeze, posaçërisht sa i përket përfshirjes së grave në vendimmarrje”, thuhet në njoftim.
Osmani ka falënderuar Trudeaun për mbështetjen e Kanadasë ndaj Kosovës në periudha të ndryshme kohore, duke përmendur edhe intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999.
Për një vit, deri më 4 shtator, Kosova ka pasur moratorium në kërkesat për anëtarësime në organizata bazuar në Marrëveshjen e Washingtonit, që po ashtu për një vit ia ndali Serbisë fushatën e çnjohjeve.