Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani dhe kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takojnë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për tu konsultuar rreth formimit të institucioneve.
Me takimin me Lumirin, Osmani dhe Kurti përfundojnë takimet e konsultave me partitë politike rreth formimit të Qeverisë.
Takimi mbahet në ora 14:30. Që nga e hëna, Osmani dhe Kurti janë konsultuar me përfaqësues të partive politike. Ndërkohë pozicioni i presidentes është ende i paqartë.
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se PDK nuk do të votojë Vjosa Osmanin për presidente, madje nuk do të merr pjesë as në votim. Hoxhaj ka thënë se kjo çështje për PDK është temë e mbyllur.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë mbrëmë se AAK-ja nuk e voton kandidaturën e Vjosa Osmanit për Presidente.
Ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku një ditë më parë tha se LDK synon t’i shmangë zgjedhjet e reja. Ai tha se për këtë çështje do të vendosin pas takimit të sotëm me Osmanin dhe Kurtit, si dhe pas formimit të Kryesisë së LDK-së që pritet të bëhet në fundjavë.