Liria dhe Demokracia nuk mund të realizohen pa një ripërtëritje morale dhe intelektuale

“Është një fatkeqësi e kohës që të marrët drejtojnë të verbërit”
Uilliam Shekspir: “Mbreti Lir”

nga Prof. Dr. Gjergj Sinani

Që Europa të mos binte në nje “urrejtje shpirtërore dhe barbari”, Hyserli, kërkoi një “rilindje të Europës duke nisur nga shpirti i filozofisë”, sepse “Filozofia, duke u shpalosur në format e kërkimit dhe të kulturës prodhon një pasojë të dyfishtë shpirtërore. Nga njera anë, më thelbësorja në qëndrimin teoretik të njeriut filozofik është vetë universaliteti i sjelljes kritike, e cila vendos që të mos pranojë pa pyetje asnjë opinion të dhënë që më parë, asnjë traditë dhe të shtrojë sa më parë, kundrejt universiumit tardicional të dhënë që më parë, pyetjen mbi të vërtetën në vetvete, e cila është një idealitet” . Këto rreshta ai i shkroi në vitin 1936 dhe pas tre vitesh Europa ra në një barbari siç ishte Lufta II Botërore, ndërsa ne ramë në një barbari më shumë, siç ishte barabaria e arsyes. Ne shpresuam se në demokraci do ta dilnim nga barbaria e arsyes për të ngjallur shpirtin kritik, siç e kërkon filozofia, por ramë në një barbari të re të opinionit. Në vend që të dilnim nga apatia mendore, ne ende nuk po dalin nga “kaosi i unit shoqëror”, siç shprehej dikur Niçja. Shkurt, ka ardhur koha që të vendosim rregull në unin tonë shoqëror, me qëllim që të mos mbetemi viktima të mediokritetit dhe sharlatanizmit. Të gjitha kombet e qytetëruara e kanë filluar zhvillimin përmes një ripërtëritje shpirtërore.

Ne po jetojmë në kohën e vdekjes së ideve të mëdha dhe ku shqetësimi kryesor i njerëzve është puna, kënaqësitë dhe si të kalohet koha e lirë. Por, me çështjen e kënaqësive shtrohet edhe problemi i masës, ose përkorjes, në kuptimin Aristotelian të termit: “Masa është virtyti që përbën të mesmen e drejtë në raport me kënaqësitë”. Kënaqësia që bën fjalë Aristoteli janë kënaqësitë e trupit dhe të shqisave. Dhe në fakt, për çfarë shqetësohen njerëzit në ditë tona; a kanë ngrënë shumë ushqim, dhjamë, mish apo produkte qumështi? A kanë bërë mjaftueshëm sport? A kanë pirë shumë alkool? A duhet ta ndërpresin duhanin? Madje edhe jeta seksuale konsiderohet nga pikëpamja higjenike, domethënë a kanë një jetë seksuale aktive? Këto probleme, që lidhen me konsumin, konsiderohen si thelbësore, por në fakt, kjo është një shenjë e dekadencës mendore. Po për lartësimin shpirtëror të njeriut, a flet dikush? Në këtë kuptim situata e filozofisë është mjaft delikate dhe në gjendje kritike, ndërkohë që Hyserli thoshte se një qytetërim i denjë nuk mund të kuptohet pa filozofinë dhe profesionin e filozofit. Këtë gjendje e vështirëson edhe mendimi i zakonshëm që thotë se përse na duhet filozofia kur kemi shkencat?

Pse kanë dështuar dhe po dështojnë përpjekjet për të krijuar një shoqëri demokratike? Pse nuk po arrihen të bashkohne liria me drejtësinë? Përgjigjja është një dhe vetëm një; nuk kemi bërë një ripërtëritje shpirtërore dhe intelektuale, siç ka ndodhur në historinë e popujve të qytetëruar europianë, drejt së cilës synojmë.

Sot flitet për ndryshime kushtetuese dhe institucionale, ndryshime te kodit zgjedhor etj., flitet për reforma të institucioneve politike, por harrohet realiteti shqiptar. Cili është ky realitet? Në ç’raport është me historinë e afërt dhe të largët? Cili është roli ynë në rajon dhe në Europë? A mund të flitet për një shpirt shqiptar? Në esenë e famshme mbi kombin Ernest Renan fliste për kombin si një shpirt dhe jo thjesht territor dhe kufij. Ashtu si në filozofinë stoike ku çdo njeri duhet të luajë një rol, edhe çdo komb duhet të luajë rolin e tij në fatin e botës. Mund të më kundërshtojnë, siç edhe ka zënë vend në mendësinë tonë, se Shqipëria e vogël nuk ka se ç’rol të luajë në fatin e botës, por të paktën të mendojë për fatin e shqitarëve pas natës totalitare.

Kur sistemet e refuzojnë lirinë, atëherë vijnë periudhat e katastrofave. Ndoshta, Niçja e kishte parashikuar këtë kohë kur shkruante : « Utopia », « njeriu ideal », hyjnizimi i natyrës, vaniteti i vënies në skenë të vetë personit tënd, varësia ndaj propagandës sociale, sharlatanizmi – kjo është ajo që na dha shekulli i XIX » . Niçja parashikoi jo vetëm sharlatanizmin, por edhe kameleonizmin e njeriut modern. Sikur Niçja ta shikonte se çfarë forma ka marrë kameleonizmi në shoqërinë tonë post-totalitare, ndoshta do të mbyllej vetë në çmendinë. Sipas tij, ata që hiqen si interesantë futen në kategorinë e kameleonëve, pasi « ata nuk janë në kontradiktë me vetveten, ata janë të lumtur dhe të sigurtë, por ata nuk kanë aspak zhvillim, gjendjet e tyre shpirtërore ndodhen njera pranë tjetrës, megjithëse të ndara shtatë herë. Ata ndryshojnë, ata nuk evolojnë drejtë një të bëri… » .

Në kohë tranzicionesh kategoria e kameleonëve, që fliste Niçja shtohen. Prandaj reflektimi ndaj të kaluarës ka rëndësi themelore në kuptimin e shpirtit të kohës, sepse, siç shkruante mendimtari gjerman Troelsh, « Të analizosh dhe të kapësh atë që përbën esencën shpirtërore të një epoke, ja detyra për të cilën konkurojnë historiani, përmes investigimit kritik të fakteve, dhe filozofi, përmes imagjinatës së tij teorike – detyrë përmes së cilës historiani bëhet filozof dhe filozofi historian. Historiani gjen aty fundin dhe arritjen e një kërkimi se si formohen konfigurimet e mëdha historike; filozofi gjen më shumë bazën dhe presupozimet që i mundësojnë për të krijuar normat dhe gjykimet vlerore, me ndihmën e të cilave i duhet të vlerësojë në mënyrë të përhershme realizimet e një epoke» . Kjo detyrë na imponohet edhe ne tani për të kuptuar shpirtin e kohës sonë. Shpesh dëgjohet se e kaluara duhet të harrohet për të parë nga e ardhmja. Në fakt e kaluara duhet menduar për të kuptuar se çfarë lloj njerëzish jemi. Për shoqëritë që dalin nga totalitarizmi kjo është një detyrë themelore, me qëllim që njerëzit të mos vazhdojnë të mbeten viktima të mashtrimit dhe iluzionit. “Një nga zbulimet e qeverisë totalitare, shkruante Hanah Arendt, ka qenë metoda që konsistonte në gërmimin e vrimave të mëdha ku varrosnin faktet dhe ngjarjet që nuk mund të flitet, ndërmarrje e gjerë që mund të realizohej vetëm duke vrarë miljona njerëz që kishin qenë aktorë ose dëshmimtarë të të kaluarës. E kaluara ishte e dënuar sikur nuk kishte ekzistuar kurrë” . Nuk duhet të harrojmë se totalitarizmi, kudo ku u realizua, përfshirë dhe Shqipërinë, duhet të konsiderohet si i vetmi rrezik i madh që kërcënon me rrënim total jo vetëm entitetin tonë politik, por edhe mbijetesën shpirtërore dhe substancën tonë morale.

Në këto vite tranzicioni, a u mendua për një ripërtëritje morale dhe intelektuale të shqiptarëve ? Historia e kombeve të civilizuara fillon me një ripërtëritje morale dhe intelektuale. Njeriu që prostituon me idetë dhe nuk ka një mision shket në mediokritet. Të ashtuquajtur burra shteti në historinë tonë moderne dhe të këtij tranzicioni të zgjatur, na janë paraqitur si fëmijë. Ata, me një lehtësi morale, arritën që të shkatërrojnë gjithçka. Drejtuesit tanë, në mënyrë naive ose jo, menduan se me një kushtetutë të mirë republikane dhe një kod zgjedhor mund të ngrihej një shoqëri demokratike. Tokëvili e kishte kritikuar këtë iluzion, në veprën Demokracia në Amerikë, kur kritikoi utopizmin e revolucionarëve meksikanë, të cilët menduan se duke përkthyer kushtetutën amerikane do të bëheshin si amerikanët, por harruan se duke marrë gërmën e kushtetutës, nuk mund të merrnin dot shpirtin amerikan. Edhe ne duke marrë gërmën e të drejtës europiane, nuk mund të marrim dot shpirtin europian. Edhe neoshqiptarizmi, tek ne, e kritikoi këtë mendësi duke theksuar dy gjëra ; e para, ne duhej të merrnim shpirtin europian dhe, së dyti, Europa duhej marrë e plotë dhe jo mballoma, mballoma, siç u përshtatej drejtuesve të momentit (Branko Merxhani). Jo më kot Gjergj Fishta, pas pavarësisë së shqipërisë, lëshoi thirrjen se tani që bëmë Shqipërinë, hajt të bëjmë shqiptarët. Detyrë që edhe sot mbetet e parealizuar dhe që na bën të lëngojmë edhe sot në detyrën për të pajtuar lirinë me drejtësinë. Kjo është arsyeja që drejtuesit tanë, në këtë periudhë tranzicioni, e shpunë Shqipërinë në atë shkallë rënieje ku arrin çdo shoqëri që heq dorë nga synimet e larta.

Sigurisht, mund të ndalesha te historia e mendimit filozofik, apo shqetësimet e neoshqiptarizmit, për të argumentuar rëndësinë e një ripërtëritje shpirtërore, por do të sjell disa ide nga studimi i Prof. Isuf Luzaj, « Rindërtimi i fuqive shpirtërore », të cilin rrethanat fatlume më bënë ta njoh që në dorëshkrim dhe ta përgatisja për botim. Mesa duket, Niçja kishte pasur shumë të drejtë kur shkruante se vetëm të ngjashmit mund t’i kuptojnë të ngjashmit.

Që në parathënie ai e konsideron këtë studim si një mesazh për rininë e shek. XXI, duke shpresuar se do të ishin shuar « të gjitha presionet politike, hakmarrjet, dogmatikët dhe karrieristët, që ndryshkin sot shpirtin e popullit tonë, si trashëgime të epokës së tmerrit », pasi « diktaturat kanë ngulur në shpirtin e shqiptarit një stivë dogmash që, sa më shumë kalben, aq më shumë dëmtojnë, sepse krijojnë në mentalitetin tonë fara, mikrobe, bacile e viruse, që sëmurin shpirtin tonë » . Moraliteti dhe shkenca mund të na sjellin njeriun mendonjës (Branko Merxhani, thoshte se duhet të krijojmë « Shqipërinë mendonjëse »), që këtej njeriun ndërtonjës dhe që këtej njeriun moral, na thotë Luzaj. Sipas tij, fuqitë shpirtërore nuk janë virtyte katalogu, siç i gjejmë rëndom sot në botimet dhe aktivitetet e OJF, por janë moralitet i gjallë. Shqipëria pas viteve ’90, në vend që të bëhej më e mirë, u bë më shumë materialiste, dhe kjo ka shpjegimet e veta, por po më tej, a mund të vazhdohej vetëm drejt konfortit material ? Tokëvili kishte paralajmëruar se në qoftë se motivi nxitës i një shoqërie do të ishte shpirti i përfitimit, atëherë kjo shoqëri do të përballet me probleme të mëdha në të ardhmen.

Optimizmi i Luzajt për gjenerata e reja nuk gjen konfirmim në realitetin e sotëm. Ai mendonte se « Krizat e mëdha i paraqesin mundësi të shumta brezit të pahelmuar, sepse nisin në njerëzim një reformë të zjarrtë etike, ideologjike, institucionale. Një ndërgjgje e re historike vjen në botë dhe ndryshon vlerat tradicionale të DREJTËSISË, të së DREJTËS, të KULTURËS » . Cili është ideali i rinisë sot ? Komoditeti dhe argëtimi dhe pastaj habitemi pse shtohen dhuna, vrasjet, egërsia në komunikim dhe varfëria mendore. Luzaj paralajmëron rrezikun : « Kur një gjeneratë i mbyll krahët në të tashmen, nuk është rini, vuan nga pleqëria e parakohshme. Kur fluturon drejt të shkuarës është duke agonizuar, më keq akoma, ka lindur e vdekur » . Përveç dijes duhet edhe entusiazmi. Dikur Hegeli thoshte se gjërat e mëdha nuk bëhen pa pasion. I mbrujtur me filozofinë që e mësoi në Sorbonë, Luzaj e paralajmëron rininë për pasojat e apatisë intelektuale dhe morale. « Prej të rinjsh pa BESIM (këtu ai nuk ka parasysh vetëm besimin fetar, Gj.S.), formohen kurtizanë-oborrtarë, që lypin favore nëpër antisalla e sallone pritjeje, formohen retorikë që gllamarisin fjalë pa idera, abulikë që e gjykojnë jetën pa e jetuar, parazitë fatkeqë që zbehen me rrënjë sipër theut; vlera negative që vënë gurë në të gjitha rrugët për ta ndaluar që të mos shkojnë të tjerët atje ku ata nuk mund të shkojnë » . Sikur Luzaj të shikonte se si sot të rinjtë shikojnë shefat e partive, si u servilosen, si i lajkatojë, ai do kthehej përmbys në varrin e tij në Kaninë.

Pasioni, entusiazmi nuk janë efikas pa mendim. Sipas tij i pari urdhër i ligjit njerëzor është të mësojë të mendojë, i dyti është të bëjë gjithçka ka menduar. «I përsëris rinisë së re të vendit tonë të hapë sytë, të mendojë, të kullojë gjykimin dhe të veprojë. I përsëris rinisë së rilindjes sonë kombëtare se asnjë ideal i bukur nuk qe shërbyer prej paralitikëve, memecëve, shurdhëve, të dehurve, qorrave e të çmendurve » . Mendimi, inisiativa, por sigurisht, pa ideale nuk mund të ketë inisiativë, energjizmi, liria në mendim dhe veprim, këto na duhen për të ndërtuar një shoqëri të denjë. Këto krijojnë dinjitetin, personalitetin, dhe respektin për punën.

Me interes dhe tepër aktuale janë disa ide që i gjejmë në sythin mbi armiqtë e drejtësisë. Padrejtësia buron nga privilegjet e padrejta. Jo rastësisht fjalën « privilegj i padrejtë » ai e shkruan me gërma kapitale : « ÇDO PRIVILEGJ I PADREJTË shkakton një subversion imoral të vlerave shoqërore. Në shoqëritë e mbuluara me padrejtësi njerëzit humbasin ndjenjën e detyrës dhe largohen prej virtytit» .

Ekuilibri ndërmjet moralit dhe vërtetësisë është drejtësia. Drejtësia është guri themeltar i shoqërisë civile, shkruante dikur Shën Agustini. Duke qenë i mbrujtur me kulturën filozofike, por edhe duke u bazuar në eksperiencën e pasur jetësore, ai e di se përsosmëria shoqërore nuk mund të arrihet pa drejtësinë në marrëdhëniet midis njerëzve. Sa shumë flitet te ne për drejtësinë dhe atë nuk e shohim gjëkundi ! Pse ? Sepse nuk është ndërtuar një komunitet moral. Sepse nuk është realizuar ripërtëritja morale dhe intelektuale. Pasojat e një rendi të padrejtë ne i provuam dhe po i provojmë. Por është edhe një pasojë tjetër : « Njerëzit refuzojnë të punojnë e të studjojnë, kur shohin që shoqëria i mbulon me privilegje përtacët e injorantët. Dhe është për mungesë drejtësie që shtetet konvertohen në konfabulacione të favorizuarish e sharlatanësh që janë gati të pasurohen në kurriz të shtetit, porse të paaftë që ta nderojnë atdhenë me vepra të denja. Shih historinë e viteve 1945-1990 të shoqërive marksiste » .

Elozhet e tij për drejtësinë marrin formën e betimit të Krishtit në mal : « Lëvduar qofshin të rinjtë që dë të punojnë për një drejtësi shoqërore e liri politike, që ngrenë flamurin e drejtësisë për të shtuar në botë ekuilibrin mes mirëqenies dhe punës… Lëvduar qofshin ata që konceptojnë ligje mbi të gjitha ligjet, DREJTËSI SHOQËRORE, ata që konceptojnë më shumë drejtësi ; ata që për atë punojnë ; ata që për atë luftojnë, ata që për atë vdesin » .

Një pasojë tjetër fatale nga mungesa e drejtësisa është mungesa e solidaritetit, pasi « solidariteti është harmoni që del nga drejtësia ». Ai e di se pabarazitë nuk mund të zhduken, siç premtoi komunizmi, prandaj solidariteti konsiston në të ekuilibruarit e pabarazive, duke krijuar barazinë përpara të drejtës, me qëllim që të gjitha pabarazitë të mund të zhvillohen tërësisht në përfitim të shoqërisë. Për të thelbësore është liria e individit. Ai duhet të jetë i lirë përpara mundësive. Parimi liberal shprehet shumë bukur nga Luzaj : « Kur i shkatërrohet një njeriu udha e të gjitha mundësive, ka padrejtësi në atë shtet, komb, qeveri, atdhe e vend » . Ilustrimi ; sot mjafton të lexohen denoncimet mbi pabarazinë dhe korrupsionin në tenderat.

Por në kushtet e pabarazisë, padrejtësisë dhe mbytjes së kritikës, nuk kemi liri. Prandaj ai kërkon ngritjen e frymës kritike te të rinjtë. « Kur një qeveri i mbyll udhën një të riu për një fjalë kritike, për një libër kryengritës, për një gjest liridashës, në atë shtet sundon i ligu. Kur i ligu sundon, ka në ndihmë të ligjtë e, kur këta urdhërojnë, në atë vend njerëzit e ndershëm dergjen në burgje dhe kusarët dhe gjakësorët vihen në altar… Drejtësia vepron duke eliminuar privilegjet që barazohen në meritë, që matet me DOBINË shoqërore të funksioneve të shërbyera » . Për të mjerimi është një disproporcion ndërmjet funksioneve të ushtruara dhe shpërblimeve që merren.

Kur ai flet për besimin te drejtësia, duket sikur i bën jehonë tërë historisë së filozofisë, pasi ai e di se egoizmi, lakmia, kopracia, uzurpacioni lindin nga mungesa e mirëbesimit, të cilat provokojnë dhunën, që është një pasojë e padrejtësisë. Për të, dhuna është e natyrshme në shoqëritë barbare dhe jo për njeriun e shk. XXI. Gjithmonë, i shqetësuar për lirinë e individit ai shkruan : « Interesat heterogjene koordinohen duke favorizuar ndodhinë e institucioneve, që shtojnë mirëbesimin në LEGALITETIN e të gjithëve. Urrejtja dhe armiqësia ndërmjet partive janë reflekse mbeturinash të vjetra bizantine e otomane, që turbullojnë ekuilibrin e shoqërisë, thyejnë harmoninë e funksioneve të tyre. Këto sentimente keqbërëse do të shuhen vetëm duke vënë drejtësinë si themel të etikës shoqërore, të VËRTETËN si bazë të KULTURËS kolektive dhe PUNËN si konditë të parë të meritës. PRIVILEGJI, SUPERSTICIONI dhe PAPUNËSIA janë armiqtë e PAQES shoqërore » .

Kur i flet rinisë shqiptare ai e bën këtë përmes një referimi mjeshtëror te filozofia ekzistencialiste, e cila i kërkonte njeriut që edhe në kushtet e shtrëngimit më të madh, njeriu duhej të ndjehej i lirë dhe të luftonte për lirinë. Duket sikur kemi thirrjen e Kamysë, i cili e zëvendësoi formulën e Dekartit « Unë mendoj, prandaj jam », me « Unë revoltohem , prandaj ne jemi », duke e bërë imperativin e revoltës kusht të ekzistencës së denjë. Por duhet edhe burrëria, dija dhe të menduarit. Po e ilustroj këtë me disa pasazhe që marrin formën e maksimave morale. « QËNDRIMI BURRËROR duhet jetë karakteri në shërbim të një ideali… Ki turp, o i ri që humbet udhën tënde, duke ua lëshuar veten tënde dobësisht joshjeve të padenja! … Në qofsh poet, mos e fëlliq tunikën e muzës tënde duke kënduar në tryezë ku dehen oborrtarët kurtizanë ; në qofsh dijetar, mos gënje, në qofsh mësues mos mashtro ! Mendimtar ose filozof, mos i shtrembëro doktrinat e tua përpara të fuqishmëve që do të paguajnë me tepri ; me madhështinë tënde ti do të matësh përgjegjësitë e tua dhe përpara fisit, kombit e racës ti një ditë do të japësh llogari një për një për të gjitha fjalët e tua… Mos e imito shërbëtorin që përgjunjet për të shtuar racionin e gavetës së tij. Përçmoje korrupsionin dhe ki mëshirë për të korruptuarin. Përballoje, në qoftë nevoja e në ja vleftë barra qeranë, shpifjen e përbuzjen e të liqve, por në qoftë se janë shumë të poshtër aq sa që të duhet të ulesh shumë shkallë për të arritur deri tek ata, atëherë leri mos i nga pa ju përgjigjur, sepse ata kurrë nuk do të munden që një peshë e tillë të infektojë personalitetin tënd. Asnjë kope shërbëtorësh nuk mund ta poshtërojë një njeri të lirë… Diçka ka nevojë njeriu burrëror prej të tjerëve: RESPEKTIN. Duhet ta fitojë me sjelljen e tij. Nuk është i respektueshëm ai që vepron kundër ndjenjës së ndërgjegjes së tij; të gjithë respektojnë atë që di t’a lozë fatin e vet me kartën e vetme të dinjitetit të tij, pa u përkulur kurrë në asnjë rrethanë. Mba mend: qëndrimi burrëror është çelik në fjalë e diamante në sjellje. Fjala është e tingëllueshme kur është e qartë; të gjithë e dëgjojnë pa e nxehur pasioni e të gjithë i prek po inspiroi besim.

Aktiviteti moral është oshëtima e saj, që e shumëzon. Vlen më shumë të thuash një fjalë të qartë sesa të murmëritësh një mijë murmërima të drobitura. Ata që kanë një BESË ose një ideologji i përçmojnë retorikët, demagogët dhe sofistët. Kurrë nuk u ndërtuan tempuj me filigrama, as kurrë nuk u fituan beteja me zjarre artificiale dhe fishekzjarre.
Kur është e pamundur që të flasësh me dinjitet, është e lejueshme vetëm të heshtësh. Të thuash përgjysëm ç’ka beson, të maskosh idetë, të korruptosh me retiçence, t’i bësh konçensione gënjeshtrës armiqësore është një mënyrë hipokrite që tradhëton vetë idealin tënd… Mendo që e ardhmja e popullit tënd qëndron në karakterin moral të përbërësve të tij… I qëndruar e i fortë është njeriu që di të korigjojë e të ndreqë gjykimet e tij duke mendur rreth eksperiencës së tij, ose të huajën; i paqëndrueshëm është ai që vazhdon opinionet e fundit që dëgjon ose pranon nga frika atë që i imponojnë të tjerët. (Ktëtu Luzaj ka bërë një shënim në fund të faqes: “Kjo dobësi karakteri e nënshtroi popullin tonë nën diktaturën komuniste, 1942 – 1990” .
T$ gjitha këto shkojnë në funksion të shqetësimit të tij që të rinjtë të jenë dinjitozë. Dinjiteti është treguesi themelor i karakterit. Me karaktere të qullët nuk ndërtohet një shoqëri e denjë. “Të rinjtë pa udhë morali të caktuar janë të dëmshëm për shoqërinë. Pakuptimi i një ngutjeje të mundshme pozicioni i ndryshk ata duke i zhytur në realitete më të poshtra, duke i mësuar që të venerojnë dogmatizmat e flakura. Personaliteti i tyre myket me paragjykime, mendja e tyre trembet nga supersticionet, vullneti i tyre i nënshtrohet të gjitha zgjedhave. Humbasin vetpasurimin e Uni-it të tyre, të dinjitetit, që premton të largohen nga kompliciteti me të LIGËN… Me temperamente bualli formohen kope bagëtish të afta për të shërbyer, por kurrë për të dashuruar” .

« Në qoftë se të rinjtë kapërxejnë rininë e tyre dhe tradhëtojnë duke preferuar atë që u jepet e jo atë që fitojnë, ata s’do shohin kurrë fitore. Në çdo aktivitet shoqëror, arti, shkenca formon, me kalimin e kohës, KLIKA, që quhen KAFKULLA, njerëzit oportunistë. Këta në frëngjisht quhen ARRIVES, në italisht ARRIVISTI – KAUKUS. Kaparonjës kolltukësh që i lyejnë me zamkë ngjitëse që t’u rrijë gjithmonë i ngjitur në pjesët e poshtme të trupit edhe në rast se rrëzohen. Këta qorr-betullë bajatë dëshirojnë t’i mbajnë njerëzit ashtu siç janë duke u vënë kundra gjithçka që përfaqëson rinovim dhe përparim; janë armiqtë e rinisë, korruptuesit e saj. Kur shohin ndonjë lëvizje rinie, ngrenë kokën si bualli e si gjeli i detit me të ngërryer të ndonjë krimbi dhe në mes të gjuslykëve e të gazetës që lexojnë u zgurdullojnë sytë si kupa me hirrë; këta janë zhapinj kënete… Burokracia është një gërshërë që suprimon te individët çdo shenjë dinjiteti, uniformohet, bëhet memece, paralizonjëse. Nuk mund të ekzistojë moralitet në një komb kur, e ndërsa që njerëzit ngjiten lehtë lartë, zhvishen nga meritat e ngarkohen me rekomandime duke i grumbulluar për t’u ngjitur pa dëshirë tjetër veçse ta mbarojnë jetën e tyre në PENSION… Të lirë janë ata që dinë të dashurojnë e të ekzekutojnë atë që duan; kurrë nuk bëjnë ndonjë gjë që i ndyn, as tentojnë që të justifikohen duke akuzuar e fajësuar të tjerët me të këqiat e tyre; janë robër ata që presin favorin e huaj e heqin dorë nga të drejtuarit prej vetvetes, duke u rrezikuar në një mijë poshtërsira e vogëlsira që ndryshkin ndërgjegjen e tyre. Pavarësia morale është mbështetja e fortë e dinjitetit… I ri, djalosh, burrë që mendon e punon, që ëndërron e dashuron, i ri që do të ndreqësh rininë tënde, mos dëshiro kurrë atë që vetëm mund ta arrish në favor të të tjerëve, të të huajve; dëshiro me qëndrim gjithçka që mund të realizojë energjia, vetenergjia tënde. Në qoftë se do t’i futësh dhëmbët e tu në një pemë të shijshme, mos e kërko, mos e lyp pemën, por mbill një pemë e prit se do vijë. Do ta kesh, ndonëse vonë, por do ta kesh me siguri e do të jetë e tëra jotja e do të rrjedhë mjaltë kur ta shtrydhin buzët e tua. Po ta kërkosh nuk është e sugurtë se do ta arrish; shumë herë do të të duhet të presësh më shumë kohë sesa po të kishe mbjellur pemën. Edhe sikur ta arrish, si dhuratë nga të tjerët, qiellza jote do të ndjejë hidhërimin e robërisë dhe të zgjedhës së cilës ia detyron” .

Një vend të veçantë Luzaj i kushton meritës. Sipas tij merita fitohet dhe ajo është një sintezë virtytesh individuale. Ata të rinj që e harrojnë këtë jetojnë të gjunjëzuar dhe e kanë mendjen vetëm për të përmirësuar ekonomikisht veten e tyre dhe luftojnë për tituj boshë e apparentë dhe kështu vdesin moralisht dhe fizikisht. “Merita, shkruan ai, qëndron në të qenit e jo në të dukurit, në ekzistencën dhe jo në aparencën, në gjënë dhe jo në hijen” . Ai e paralajmëron të riun shqiptar nga robëria morale, pasi prej këtej buron urrejtja ndaj meritës. “Në gjeneratat pa ideale vërehet gjithmonë një komplotim i fshehtë i ndyrësirave kundër meritës. Të gjithë të paaftit, për të krijuar vetë fatin e tyre, bashkojnë pafuqitë e tyre dhe i kondensojnë në një moral burokratik, që infekton tërë shoqërinë. Njerëzit aspirojnë të maten e të jenë të matur prej radhës së tyre prej funksionarësh; kulti kuantitativ i aktivitetit i rri përsipër respektit cilësor të AFTËSISË” . Po të ishte gjallë, realiteti i sotëm do ta zhgënjete profesorin e filozofisë Isuf Luzaj. Sot, shumica e të rinjve zvarriten prapa shefave të partive për të siguruar një post funksionari. Përpiqen të bëjnë karrierë duke sakrifikuar personalitetn e tyre. Prandaj ai paralajmëron rininë me ideale dhe të talentuar: “Çdo pohim i personalitetit shkakton një kryengritje të nuliteteve; të rinjtë që ushqejnë ideale duhet t’i njohin këto rreziqe dhe të jenë gati që t’i fitojnë. Në fushën e aksionit dhe të artit, të mendimit e të punës MERITA jeton e rrethuar nga armiqtë; mungesa e këtyre është dëshmitare e pakundërshtueshme e vlerësimit… Rebelizmi i karaktereve të fortë poshtëron e përul tmerrësisht ata që përshtaten me përunjësi si shushunja” .

E keqja më e madhe për rininë është përtacia, sidomos përtacia mendore, madje për të, ndjenja e përtacisë dhe zakoni i dembelisë janë mungesa jetike të afërta me sëmundjen. Shkur, pasiviteti te të rinjtë është shenjë pleqërimi. Këtë dhe shumë vese të tjera duhet t’i njohim dhe t’i luftojmë. Madje ai na thotë se edhe shumë sëmundje nervore vijnë si pasojë e veseve. Dhe thirrja e rij mbetet edhe sot më aktuale se kurrë: “Inteligjenca qëndron në njojen e vesit e vullneti qëndron në të zhdukurit e vesit. I tërë sekreti i përmirësimit të fuqive shpirtërore qëndron në vullnetin që ta marrë njeriu në gjyq ndergjegjen e tij pak minuta përpara se t’i dorëzohet gjumit: Ç’bëra unë sot? A krijova dot një mendim të ri, një hap përpara n’udhëtim, një akt të lavdërueshëm? Nëse gaboj, të pyes ndërgjegjjen: A mund të korigjohem? Si duhet të korigjohem? Kur? Në sa orë, ditë, muaj më duhen që të korigjohem? Nga njeriu kafshë a mund të bëhem njeriu njeri? A duhet t’i krasis ferrat dhe drizat e shpirtit, që të pastrohem nga mizerjet morale? A mund t’i ringjall strukturat e fuqive shpirtëore? Po! Atëherë në veprim që nëser, shpejtë!” . Kjo do thotë edhe që të njohësh vlerën e kohës, pasi koha është jeta dhe duke vlerësuar kohën intensifikohet jeta. Sa më e shfrytëzuar të jetë koha, aq më e gjatë bëhet jeta.

Në këtë proçes rindërtimi të fuqive shpirtërore rol kanë edhe besimet fetare, pasi, sipas tij, “Ndjenja fetare, duke u idealizuar, konvertohet në dashuri të thjeshtë, në detyrë, në drejtësi, në bukuri, në vërtetësi” . Edhe në këtë sferë ai mbetet modern. Besimet duhet të largohen nga predikimi i frikës, pasi struktura e fuqive shpirtërore luan një rol kryesor në efikasitetin e reformave dhe në çlirimin e ndërgjegjes së njeriut nga frikërat e misterit. “Moralitetin e frikës (frikë nga xhandari, nga burgu, nga litari apo plumbi, frikë nga Zoti) duhet ta zëvendësojë moraliteti shkencor, që është virtyt. Në qoftë se ti nuk beson në asnjë frikë dhe je i ndershëm, atëherë je virtuoz” .

Mbi të gjitha, ripërtëritja shpirtërore kërkon të duash të vërtetën dhe të kesh guxim ta thuash atë. “DASHURIA PËR TË VËRTETËN është vlera më e lartë e piramidës që quhet FUQI SHPIRTËRORE” , shkruan ai me gërma kapitale. Imoraliteti dhe gënjeshtra janë në aleancë ndërmjet tyre; “Përkundrazi kush nuk ka LEGALITET për të njohur gabimet e tij është aq më shumë i përçmuar sa më e fortë të jetë këmbëngulja e tij e sa më e madhe të jetë e liga që ai shkakton. Ai që genjën është një njeri fals, i rëndë, i aftë të zhduke të vërtetën, ta mbulojë, ta korruptojë me qëllim që ta përndjekë. Njerëzit që jetojnë në imoralitet e urrejnë të vërtetën e bien gjithmonë në poshtërsinë e gabimit” . Prandaj, “udhëheqës viganë” janë ata që kërkojnë dhe thonë të vërtetën dhe që nuk tremben dhe as e humbasin gjuhën përpara armiqësive të njerëzve mediokër. Dhe ja thirrja e tij që është sintezë e dijes së tij filozofike dhe përvojës së tij personale tragjike: “Mashtruesi, i poshtri vdes moralisht njëqind herë nëse aq herë të tjera mohon, nga frika; është i lig e i poshtër ai që prostituon besimet e tij në orën e rrezikut duke gënjyer për të fituar faljen e armiqve të tij. Poshtërsia morale është aq e ndyrë dhe e fëlliqur që asnjë dënim nuk mund t’i mjaftojë për turpësinë e saj; e më e madhja nga të gjitha poshtëristë është ajo me heshtë e mos me e thanë të vërtetën për të arritur shperblimet që dhuron bashkfajësia me gënjështrën. Të vërtetat mund të jenë të rrezikshme për atë që i predikon. Por ai që i dashuron jo vetëm si trembet syri nga rreziku, por e provokon përpjekjen kështu që ka mundesinë t’jua mësojë atyre që mund të mësohen e që duan të mësojnë. Në zemrën e të rinjve e verteta është gjeneratore, si nxehtësia e diellit që në kopshtet konvertohet në lule” .

Mund ta kisha andërtuar këtë kumtesë duke ju referuar korifejve të mendimit filozofik duke filluar që nga lashtësia, por mendova t’i drejtohem një tonit, që me dijen filozofike, me stilin e tij letrar, të pasuaruar me eksperiencën tragjike të jetës së tij, e ve gishtin te problet tona reale. Televizionet, mediat, mbushen me opinione të të huajve, madje edhe të ndonjë studenti të nivelit master, pasi nuk na pëlqen të dëgjojmë një tonin. Ne tonin nuk e duam dhe preferojmë të huajin, sepse kështu drejtuesit tanë heqin dorë nga përgjegjësia e qeverisjes dhe justifikojnë apatinë mendore. Këtë prirje Mit’hat Frashëri e kritikoi ashpër dhe e konsideron një nga plagët apo veset tona, ne tonin më të ditur e çuam te muri i pushkatimit nën britmat gazmore të turmës, ne tonin më të aftë e denoncuam te policia sekrete, ne tonin më të aftë se veten e përgojojmë tek i huaji. Duhet të heqim dorë nga shpërfillja e mendimit shqiptar. Nuk mund ta kuptojmë veten tonë, pa njohur më parë përvojat e mendimit shqiptar dhe pa reflektuar për të kaluarën tonë.

Ai e di se kjo përpjekje shpirtërore është e mundimshme dhe kërkon shumë punë. Në qoftë se ne nuk e filluam këtë punë të nesërmen e rënies së regjimit totalitar komunist, jemi ende në kohë ta mendojmë dhe realizojmë tani dhe sa me shpejt. Koha nuk pret. Edhe ai e di se kjo është një punë e mundimshme, por që duhet bërë për ta futur Shqipërinë në rrugën e qytetërimit perëndimor. Që në parathënien e këtyre refleksioneve filozofike ai na paralajmëron: “Rindërtimi i strukturave të fuqive shpirtërore për të krijuar moralin e ri shkencor, do të kërkojë më shumë punë, art dhe durim sesa rindërtimi ekonomik, i cili mund të kryhet në pak vitë punimi të shëndoshë dhe gjenial të një shteti demokratik. Duke shpresuar që rinia e shekullit të ardhshëm do të dëshirojë të njohë gabimet e prindërve të saj, duke marrë në gjyq historinë, duke shpresuar që rinia do të dijë të peshohet nga ferrat dhe drizat e shpirtit që kultivoi utopia, padituria dhe vesi dhe do të dojë të rrijë në udhën e qytetërimit perëndimor, duke shpresuar që ajo rini e fortë, e mësuar, e pastër, e vendosur do të jetë aq trime sa ta presë me thikë pjesën kanceroze të shpirtit për të shpëtuar tërësinë e tij, e shkruajta ketë mesazh me besim në vlerat tona raciale dhe në Zot” .

Kur kultura që mbretëron sot në vendin tonë është beninje, të qenit konformist funksionon. Duhet të dalim, sa nuk është vonë, nga dehumanizmi tribal. Por, në një kulturë malinje, ku djalli endet lirisht në nivelet më të larta, kini kujdes nga konformizmi; ai mund të vrasë trupin dhe shpirtin. Nuk ecet përpara me ndërgjegje prej skllavi, ose siç shprehej Prof. Luzaj, “me temperamente prej bualli”, nuk ndërtohen shoqëri të lira dhe demokratike. Hegeli, nga fundi i jetës, na paralajmëroi: “Skllavi nuk e njeh thelbin e vet, pafundësinë e tij, lirinë, ai nuk e njeh veten si thelb dhe kështu ai nuk e njeh vetveten, nuk mendon. Kjo ndërgjegje për veten, që kapet si thelb edhe përmes mendimit dhe kështu ndahet nga rastësorja dhe e gabuara, përbën parimin e të drejtës, të moralitetit subjektiv dhe objektiv. Ata që, duke folur filozofikisht për të drejtën, për moralitetin subjektiv dhe objektiv, duan të eliminojnë nga ky domen mendimin dhe na shpien te ndjenja, te zemra, te hovi dhe entusiazmi, tregojnë kështu se në çfarë përbuzje të thellë kanë rënë mendimi dhe shkenca, pasi vetë shkenca bie në dëshpërim dhe në lodhje dhe merr për parim barbarinë dhe mungesën e mendimit; në masën që do të mundej, ajo do t’i shkulte njeriut tërë të vërtetën, tërë vlerën, tërë dinjitetin” .

Jo rastësisht ka një aleancë rufjanësh dhe sharlatanësh, edhe në radhët e drejtësisë, që nuk duan që njerëzit të mendojnë, por t’i mbajnë njërëzit në nivelin e manipulimit të ndjenjave.

REFERENCAT:

    Husserl, La crise des sciences européennes et la phénoménologie transcendentale, tel gallimard, 1976, f. 367.
    Friedrich Nietzche, Le Nihilisme européen, Mille et une nuits, 2011, f. 54.
    Friedrich Nietzche, po aty, f. 112.
    Ernst Troeltsch, L’essence de l’esprit moderne, f. 7.
    Hannah Arendt, Responsabilité et jugement, Payot, Paris, 2009, f. 333.
    Isuf Luzaj, Rindrtimi I fuqive shpirtërore, OMBRA, GVG, Tiranë; 2005, f. 19.
    Po aty, f. 36-37.
    Po aty, f. 38.
    Po aty, f. 41.
    Po aty, f; 47.
    Po aty, f. 68.
    Po aty, f. 68.
    Po aty, f. 69.
    Po aty, f. 71.
    Po aty, f. 72.
    Po aty, f. 73.
    Po aty, ff. 90-92.
    Po aty, f.97.
    Po aty, ff. 98-100.
    Po aty, f. 106.
    Po aty, f.106-107.
    Po aty, f. 108.
    Po aty, f. 112-113.
    Po aty, f. 132.
    Po aty, f. 233-134.
    Po aty, f. 137.
    Po aty, f. 139.
    Po aty, f. 141.
    “Në qoftë se dikush dëshiron organizatorë të huaj, që të ketë një mësonjës prej të cilit të marrë mënyrat më të mira për punë, që të marrë shembullat më të dobishme për një aktivitet të ri dhe me fryte më të shkëlqyeshme, me një fjalë një mësues prej të cilit të përfitojë dhe të marrë diturinë që mungon, atëherë dëshira është jo vetëm e meritueshme, por fort e nevojshme, me qënëse qytetërimi dhe përparimi janë gjëra që shpiken fort vështirë dhe duhetë të merren hua atje ku gjinden, të kopjohen prej atyre që e kanë marrë më parë se ne. Po në qoftë se fjala organizator vjen nga shkaku i përtimit, i apathisë dhe i anemisë mendore, në qofte se duke lypur organizatorë të huaj, duan të shpëtojnë nga përgjegjësia dhe kujtojnë se ne vetë nuk do të kemi nevojë që të punojmë e të përpiqemi, po të shtrihemi në livadh, në qoftë se drejtuesin e duam të huaj nga shkaku se nuk na pëlqen të shohim një tonin, një shqiptar në krye të punës (duke kujtuar se ai që është më i naltë se unë, më ka marrë vendin tim!), në qoftë se e duam organizatorin e huaj që të shkojmë dhe të takohemi tek ai duke sharë, kritikuar dhe kallzuar bashkatdhetarin tonë, në qoftë se, me një fjalë, duam organizatorin e huaj të shtyrë prej asaj të mete që na bën të themi se “s’jemi të zot, që s’bëhemi njerëz, që më mirë një të huaj se një shqiptar”, atëherë kjo dëshirë bëhet një ves dhe një krim”. “Kthimi i Mitat Frashërit”, Phenix, Tiranë, 1979, f. 160 – 161.
    Isuf Luzaj, Po aty, f. 20.
    Hegel, Principes de la philosophie du droit, Gallimard, Paris, 1940, f. 71-72.


Shtuar 10.10.2025 11:00