“Omicron” ngre alarm global, OBSH apel personave mbi 60 vjeç: Shmangni udhëtimet

Ndërsa varianti i ri i koronavirusit “Omicron” ka ngritur alarm botëror, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka lëshuar rekomandime të reja.

OBSH u ka bërë apel personave mbi 60 vjeç të shmangin udhëtimet, duke iu referuar rrezikut të lartë për shkak të variantit të ri.

“Ne duhet t’u rekomandojmë njerëzve që nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore ose që janë në rrezik të zhvillimit të një forme serioze të sëmundjes Covid-19, veçanërisht njerëzve të moshës 60 vjeç e lart dhe atyre me sëmundje shoqëruese (për shembull: sëmundje të zemrës, kancer dhe diabeti. ) të shtynë udhëtimin e tyre”, shkruan OBSH në një dokument teknik.

Në të njëjtën kohë, OBSH tha sot se ndalimet e përgjithshme të udhëtimit nuk do të parandalojnë përhapjen e variantit Omicron të koronavirusit, duke u kërkuar vendeve të adoptojnë një qasje të bazuar në rrezik.

Të paktën 56 vende kanë njoftuar deri më 28 nëntor zbatimin e masave të udhëtimit që synojnë të vonojnë infektimin me Omicron./albeu.com

 

 


Shtuar 30.11.2021 20:49