OKB: Mbi 700 milionë njerëz nuk e dinë kur apo nëse do të hanë një vakt tjetër

Kriza globale e urisë ka lënë më shumë se 700 milionë njerëz të pasigurt se kur ose nëse do të hanë përsëri, dhe kërkesa për ushqim po rritet në mënyrë të pashmangshme ndërsa fondet humanitare po shterojnë, thanë Kombet e Bashkuara.

Drejtoresha Ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit, Cindy McCain i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten se mungesa e fondeve e detyroi agjencinë të shkurtojë racionet e ushqimit për miliona njerëz dhe do të duhet ta bëjë përsëri.

Agjencia vlerëson se pothuajse 47 milionë njerëz në mbi 50 vende janë vetëm një hap larg urisë, dhe vlerësohet se rreth 45 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç tani vuajnë nga kequshqyerja akute.

Më shumë se 345 milionë njerëz përballen me nivele të larta të pasigurisë ushqimore këtë vit, një rritje prej afro 200 milionë njerëz që nga fillimi i vitit 2021 përpara pandemisë së koronavirusit, tha agjencia.

Cindy McCain tha se shkaku i rritjes së numrit të njerëzve të uritur është “një kombinim vdekjeprurës i konflikteve, goditjeve ekonomike, ndryshimeve ekstreme klimatike dhe rritjes së çmimeve të plehrave”.

Pasojat ekonomike nga pandemia dhe lufta në Ukrainë i kanë shtyrë çmimet e ushqimeve përtej mundësive të miliona njerëzve në mbarë botën, në të njëjtën kohë pasi çmimet e larta të plehrave kanë shkaktuar rënie të prodhimit të misrit, orizit, sojës dhe grurit, tha agjencia.


Shtuar 15.09.2023 09:43

Tags: ,