Oficeri gjerman del në gjyq, dyshohet se është spiun i Rusisë

Në landin NRW ka nisur gjyqi kundër një oficeri rezervë të ushtrisë gjermane. Ai dyshohet se i ka dhënë informacione sekrete rusëve prej vitesh. 65-vjeçari duhet të përgjigjet para Gjykatës së Lartë Rajonale të Dyseldorfit ku akuzohet për spiunazh.

Sipas prokurorit federal, oficeri rezervë nga vendi Erkrath i ka dhënë shërbimit sekret rus GRU informacione mbi rezervistët gjermanë dhe bashkëpunimin civilo-ushtarak në situata krize midis 2014 dhe 2020. Bëhet fjalë edhe për efektet e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë në vitin 2014 si dhe tubacionin Nord Stream 2 në Detin Baltik.

Kontaktet private

Përveç kësaj, i akuzuari thuhet se u ka dhënë rusëve detajet e kontakteve private të anëtarëve të lartë të Bundeswehrit dhe përfaqësuesve të biznesit. Politika e sigurisë dhe e mbrojtjes së SHBA-së dhe aleatëve të saj perëndimorë është një çështje tjetër që përmendet. Sipas aktakuzës, dokumentet dhe informacionet kanë ardhur pjesërisht nga burime publike, por edhe nga burime jopublike.

Në rezervën e Bundeswehrit, nënkoloneli ishte në një komandë ndërlidhëse të qarkut si nënkryetar. Në dy biseda informative, ai në masë të madhe ka pranuar se ka dhënë informacione, tha një zëdhënëse e gjykatës, kur u pyet nga DPA. Zyra e prokurorit federal dyshon si motiv simpatinë për Rusinë. Në hetimet e deritanishme nuk ka të dhëna për pagesa me para të shërbimeve. Por i akuzuari kishte shpresuar për avantazhe të tilla si ftesa për konferencat e sigurisë në Rusi – ftesa të tilla edhe ka pasur.

Rekrutimi nga “atashetë ushtarakë”

Siç thuhet në aktakuzën prej 107 faqesh, shërbimi i kundërzbulimit ushtarak (MAD) ishte informuar për oficerin rezervë në vitin 2018. Sipas revistës Der Spiegel, ai u rekrutua nga dy punonjës të shërbimit sekret, që zyrtarisht ishin atashe ushtarakë në ambasadën ruse.

Gjykata ka caktuar 20 ditë seanca për këtë çështje, deri në mes të dhjetorit 2022./DW

Shtuar 11.08.2022 22:56