Nxjerrja e banorëve nga shtëpitë në lagjen “5 Maji”, reagon Nano: Nuk ka pasur asnjë ankesë për dhunë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, nga Korça ku ishte për të analizuar punën një vjeçare në degën e këtij qyteti, ka folur për tensionet në lagjen “5 Maji”.

Nano tha se nuk ka pasur ndonjë ankesë për dhunë, ndërsa theksoi se nëse do të ketë, atëherë do të bëhet një hetim mbi rastin dhe do të merren masat përkatëse administrative.

Pyetja: Banorët e lagjes “5 Maji” në Tiranë janë nxjerrë me dhunë nga policia nga banesat e tyre, mes tyre edhe fëmijë, gjithashtu u dhunua edhe një operator, çfarë keni për të thënë?

Nano: Sot Policia e Shtetit ka qenë në mbështetje të një pune që po zhvillonte Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit në bashkinë e Tiranës. Në dijeninë time deri tani, por edhe nga qëndrimet e institucioneve të tjera nuk ka patur ndonjë ankesë. Por këto që thoni ju do të verifikohen dhe në rast se do të ketë shkelje në procedurat standarde të Policisë së Shtetit atëherë do të merren masat përkatëse administrative./albeu.com


Shtuar 20.01.2022 09:01