Nxënësit në Bulqizë braktisin mësimin, shkolla nuk ka ngrohje

Në fshatin Godvi të njësisë administrative Zerqan, 72 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Ismail Jangull”,  çdo ditë po përballen me temperaturat e ulëta, pasi kaldaja e montuar në atë shkollë nuk e ka kapacitetin e plotë për ngrohjen e kaloriferëve.

Nxënësit e kësaj shkolle, shprehen se kaloriferët nuk ngrohin aspak dhe kanë shumë ftohtë.

“Jemi të detyruar të rrimë me xhupa në klasë”, thotë një nga nxënësit.

Shumë nxënës nuk janë paraqitur fare sot në shkollë.

Prindërit shprehen se kjo problematikë vijon prej dy vitesh

“Na janë sëmurur nga i ftohti, jam detyruar të lë fëmijën 10 ditë në shtëpi, sepse doli me ftohje të rëndë. Kam paguar 100 mijë lekë ilaçe”, shprehet një nga prindërit, Luan Daka.

Një tjetër banor thotë se në këtë shkollë, jo vetëm që mungon ngrohja, por fëmijët janë të detyruar të pastrojnë shkollën vetë, pasi mungon sanitarja.

Ndërkohë, burime pranë bashkisë Bulqizë, bëjnë me dije se po merren me zgjidhjen e këtij problemi.


Shtuar 16.01.2024 10:47