“Nuk është për të qeshur, është realiteti”/ Rama takon të rinjtë fitues të programit të startup-eve: Do të rrisim financimet

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në takimin me vajzat dhe djemtë fitues të programit të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantëve për vitin 2026 në qytetin e Elbasanit.

Rama u shpreh se do të rriten investimet për këtë program me kusht që të ketë sa më shumë aplikime që mund të zhvillohen më tej.

Të lidhura

None found

“Cilido dhe cilado ndër më të rinjtë në Shqipëri mund të punojnë në çdo vend të botës pa lëvizur nga shtëpia e tyre, mjafton që të kenë një kompjuter dhe internet. Jo vetëm kaq, por mund të paguhen edhe më mirë sesa të largoheshin. Nuk është më për të qeshur, sepse është një realitet që zgjerohet me shpejtësi duke integruar në perimetrin e vetë më shumë të rinj dhe të reja, falë faktit që teknologjia u vë në dispozicion mjete që ata i kuptojnë dhe zotërojnë më shpejt sesa të tjerët.

Trefishimi i numrit të aplikantëve për programin Startup, që ka nisur disa vite më parë dhe tanimë është një program i besueshëm dhe ka tërhequr një interesim të madh dhe një numër aplikimesh rekord, 1219 aplikime për mbështetje financiare që shkon nga 15 mijë euro në 45 mijë euro dhe për projektet e konsoliduara deri në 90 mijë euro, nuk janë kredi por grant për ata që paraqiten me ide interesante dhe potencial për të krijuar një zgjidhje, një kompani të vogël dhe pastaj të gjenerojnë një kompani të madhe.

Jemi sot në Elbasan dhe ky qytet ka edhe një potencial tjetër, ka shkollën e vet profesionale me 1400 nxënës dhe përbën një rezervuar jashtëzakonisht të konsiderueshëm për një qytet si Elbasani për të rritur krijesa të reja të botës së teknologjisë, për të kthyer në hapësira shërbimesh dhe punësimi ide të cilat, nëse nuk do të ishte teknologjia, do të ishin utopi të pakapshme.

Teknologjia ka rritur shpejtësinë e zhvillimit nga epoka të tëra zhvillimi linear; bota sot ka kaluar në zhvillim eksponencial që është i paperceptueshëm. Teknologjia sot po shkon në pikën që çfarë është e re në fillim të javës është e vjetër në fund të javës. Ne do rrisim edhe volumin e financimit nga ky zhvillim teknologjik, me kusht që të ketë aplikime”, u shpreh Rama.


Shtuar 8.05.2026 19:29