Pas tensioneve dhe përplasjeve të shënuara në protestën e 94-t të zhvilluar, qytetarët rikthehen sot sërsh për protestën e 95-të radhazi kundër qeverisë.
Tubimi pritet të zhvillohet sërish në bulevardin para Kryeministrisë, ku protestuesit do të kërkojnë largimin nga detyra të kryeministrit Edi Rama.
Të lidhura
None found
Kërkesat e tyre vijojnë të lidhen me dorëheqjen e Ramës, ndryshimin e klasës politike dhe krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor.
Dita e 94-t përfundoi me përplasje dhe shoqërime
Protesta e së martës, 1 shtator, shënoi një përshkallëzim të situatës. Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë. Më pas, një pjesë e tyre u zhvendosën në rrugicat pas godinës, pasi morën informacionin se kryeministri Edi Rama ndodhej në zyrë.
Protestuesit tentuan të afrohen më tej drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa Policia ndërhyri duke forcuar kordonin e sigurisë. Situata u tensionua dhe pati përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Gjatë protestës pati edhe shoqërime të qytetarëve. Mbi 10 persona u shoqëruan në komisariatet nr. 1 dhe nr. 3. Pas shoqërimeve, një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt Komisariatit nr. 3, duke kërkuar lirimin e tyre.
Protesta e sotme, 2 shtator, shënon kështu ditën e 95-të të mobilizimit qytetar, ndërsa kërkesa kryesore mbetet e njëjtë, ajo e dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama.
