Një ditë pas ekstradimit nga Spanja, GJKKO lë në burg Leonard Luzin

Ditën e djeshme, u ekstradua nga Spanja shtetasi shtetasi Leonard Luzi alias Leonard Sejno, 47-vjeç. Ky person kishte organizuar dhe porositur shtetasin Amarildo Nikolli, për të vrarë Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, ngjarje kjo e mbetur në tentativë pasi ekzekutori u arrestua në flagrance nga policia para se të kryente vrasjen.

Por, një ditë pas ekstradimit nga Spanja, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Leonard Luzin 47-vjeç, i cili akuzohet se organizoi vrasjen e Inez Hajrullës dhe Evis Matodashajt, krim i parandaluar pas ndërhyrjes së policisë.

Sipas hetimeve, Leonard Luzi akuzohet se pagoi Amarildo Nikollin për të vrarë Inez Hajrullën, i njohur si i forti i Vlorës dhe Ervis Matodashajn për hakmarrje.

Krimi u parandalua nga Policia, pasi Amarildo Nikolli, u arrestua para se të kryente vrasjet.

Në momentin e vendosjes në pranga, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.

Luzi, i cili njihet me pseudonimin “Daku” është një emër i njohur për policinë, pasi ka lidhje të forta me eksponentë të krimit.

Ai është edhe shoku i Amarildo Nikollit, i cili dyshohet të jetë pajtuar si vrasës me pagesë, me precedentë të mëparshëm edhe në Itali.

Njoftimi për caktimin e masës  së sigurisë:

Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 09.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Leonard Luzi”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet 248, 228, 229, 230, dhe 245 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 136, datë 10.11.2024,

Vendimi:

Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj të pandehurit Leonard Luzi (alias Zejno, alias Sejno), me vendimin Nr. 11, datë 05.02.2024, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore, për ekzekutimin e këtij vendimi.

Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.


Shtuar 10.11.2024 12:09