Dita e 31 e revoltës qytetare përfundoi me kërkesën e përsëritur për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë së tij.
Protesta zgjati 12 orë, duke nisur në orën 10:00 të mëngjesit dhe duke vijuar deri vonë në mbrëmje. Gjatë saj, qytetarët shënjestruan jo vetëm qeverinë, por edhe opozitën.
Të lidhura
None found
Tubimi e pati nisjen përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku u shënuan edhe përplasjet më të forta me policinë. Disa protestues u shoqëruan në komisariat, ndërsa pamjet e qytetarëve që tërhiqeshin zvarrë u kthyen në një nga episodet më të komentuara të ditës.
Më pas, protestuesit u zhvendosën përpara Komisariatit nr. 1, ku pritën lirimin e personave të shoqëruar. Kur ata dolën, turma i priti me brohoritje dhe duartrokitje, ndërsa ndërhyrjen e policisë e cilësoi si një tentativë për të frikësuar lëvizjen.
Në orët e pasdites, qytetarët u rikthyen sërish para Kryeministrisë, ku organizatorët dhe pjesëmarrësit mbajtën fjalime të forta.
Pas më shumë se dy orësh fjalimesh, nisi marshimi i përnatshëm. Ndalesa e parë ishte sërish para Kuvendit, aty ku në orët e paradites kishin ndodhur incidentet. Për disa minuta, protestuesit brohoritën “Turp, turp!” dhe “Policia e krimit!”, në lidhje me ndërhyrjen e forcave të rendit.
Më tej, marshimi kaloi pranë selisë së Partisë Demokratike, ku u dëgjuan thirrjet “PS-PD, këlysha komunistësh”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria e rinisë, jo e partisë”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve” dhe “Opozitë e shtirur”.
Mbrëmja u mbyll para Kryeministrisë, aty ku kishte nisur edhe tubimi i pasdites. Me flamuj kuqezi në duar, protestuesit e përfunduan ditën me thirrjet “Rama ik”, “Rama jep dorëheqjen”, “Shqipëri e re” dhe “Ju erdhi fundi”.
Organizatorët kanë bërë me dije se aksioni i radhës do të mbahet nesër, në orën 10:00, përpara Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ata kanë njoftuar se do të dorëzojnë librin “The Albanian Files”, të firmosur nga protestuesit, të cilin e konsiderojnë provë për kallëzimet që synojnë të depozitojnë.
