Nis puna për Unazën Veriore, Balluku: Çdo banesë për shpronësim të trajtohet me kujdes

Ditën e sotme ka nisur puna për ndërtimin e Unazës së Re Veriore.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi se ndërtimi i akseve rrugore është shumë i rëndësishëm por vuri theksin se duhet ndjekur me përpikmëri ligji i shpronësimeve.

Balluku shtoi se shpreson që t’i përmbahen duke vënë theksin te procedura dy palëshe mes shtetit dhe pronarët e objekteve që do shpronësohen.

“Preken 60 objekte që janë miks. Disa janë të legalizuara dhe disa janë të palegalizuara. Do të ketë një akomodim të pronarëve të banesave. Koha e dorëzimit të veprës është 11 muaj. Është një afat shumë ambicioz që shpresoj që ta mbajnë duke pasur parasysh edhe afatin e shpronësimeve. E them dhe e përsëris që procedura që shteti bën është një procedurë dypalëshe. E bëjmë me pronarin e truallit që do shpronësohet. Krijohen vonesa në përfundimin e procesit duke mbajtur peng edhe kantieret. Jemi të gatshëm për të ndihmuar edhe pronarët e shtëpive që do të shpronësohen. Nëse ky projekt dorëzohet brenda një viti Tirana do marrë frymë lehtësisht. Të gjitha akset do të lidhen në këtë unazë të përfunduar duke i dhënë frymëmarrje qytetit. Është e rëndësishme që informimi i qytetarëve është shumë i rëndësishëm. Shteti shpronëson në bazë të ligjeve të shpronësimeve. Ndërtimi i akseve rrugore është i rëndësishëm por nuk duhet të harrojmë që edhe një banesë e vetme të trajtohet në bazë të ligjit”, tha Balluku.


Shtuar 19.01.2022 15:34