Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka përjashtuar nga Policia e Shtetit, Arjan Tasen, i cili vrau sot një fëmijë me motorin e ujit. Në një njoftim zyrtar, pak pas ngjarjes së ndodhur, Nano ka bërë me dije se Tase është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja. Ndërsa nuk harron që të shprehë ngushëllimet për familjen Avdia nga Tropoja që ishin kthyer nga Anglia për të kaluar pushimet e verës në Himarë.
“Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj,”-shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë.
Reagimi:
Reagim i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në lidhje me ngjarjen e ndodhur mesditën e sotme, në Potam, Himarë, ku humbi jetën një fëmijë 7 vjeç, si pasojë e goditjes nga një mjet lundrues që drejtohej nga një oficer policie.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Avdia, për humbjen e jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare, e cila u godit nga një mjet lundrues. Për Policinë e Shtetit keqardhja dhe përgjegjësia për këtë ngjarje është e dyfishtë, përveç se në nivel institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, si prindër, si familjarë dhe si bashkëqytetarë të këtij vendi.
Ndërkohë, Drejtor Nano ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë Komisar Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja.
Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.
Njëkohësisht, Drejtor Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpreh mbështetje dhe inkurajon grupin hetimor të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Vijon…