Kjo javë në vendin tonë ka qenë e mbushur me ngjarje të larmishme nga të gjitha fushat, duke filluar nga ajo e politikës, shëndetit, sociale dhe përfshirë çfarë ndodh në rajon.
Albeu.com, edhe këtë javë do t’ju sjellë më poshtë të përmbledhura disa nga zhvillimet me të rëndësishme.
Mos çelja e negociatave me Bashkimin Europian
Këtë javë, dy ditë në Bruksel u mbajt Samiti i BE-së, i cili përfundoi pa rezultatet konkrete për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Dy vendeve do t’u duhet të presë për negociatat deri në një kohë të pacaktuar, nisur nga situata e fundit e brendshme në Bullgari me rrëzimin e qeverisë në momentin që pritej të hiqej vetoja ndaj Shkupit. Samiti përfundoi me tensione, ku liderët e Europës anuluan konferencën për shtyp si dhe në media qarkulloi një foto ku dukej Rama i nervozuar, sikur po i kërkonte llogari Macronit. Ndërkohë, liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç dolën në një konferencë për shtyp. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se vendimi për të mos çelur negociatat nuk e kishte habitur dhe se e priste, ndërsa me ironi shtoi se me siguri, shekullin e ardhshëm Shqipëria do të bëhej pjesë e familjes europiane.
Bullgaria i heq veton Maqedonisë së Veriut
Parlamenti bullgar votoi, një ditë pas samitit të BEpsë, një rezolutë për heqjen e vetos bullgare mbi fillimin e bisedimeve të pranimit në BE me Shkupin, bazuar në një propozim të Presidencës franceze të Këshillit të BE. Kjo është bërë përmes një projektvendimi të dorëzuar nga bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike” Hristo Ivanov, në të cilin thuhet se Bullgaria do të mbështesë çdo hap të procesit të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut në specifikimin e kornizës negociuese dhe konkluzioneve të këshilli për të siguruar përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën maqedonase “ku përmenden popujt e tjerë dhe në kushte të barabarta me këta popuj”.
Rrëzimi i Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike
Mazhorca ka rrëzuar edhe njëherë të hënën kërkesën e PD-së për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike. Opozita depozitoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për investimet strategjike më 24 maj. Por ajo mbeti në mes për shkak se për të ngritur një komision hetimor duhen 35 firma dhe grupi i PD-së, megjithëse e kishte protokolluar kërkesën me numrin e duhur të firmave, Agron Duka u tërhoq, duke e lënë dokumentin me 34 firma. Menjëherë pas kësaj ,një reagim ka ardhur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, i cili e ka cilësuar si një skemë korruptive dhe shkelje të Kushtetutës. Alibeaj mes të tjerash ka theksuar se PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të ngritur këtë komision.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka denoncuar nga foltorja e Kuvendit se 10 miq të kryeministrit Edi Rama kanë përfituar 4.6 miliard euro për investime strategjike. Sipas Bardhit, përfitues të investimeve strategjike janë ndërtuesi i vilës personale të Edi Ramës në Surrel si dhe trafikanti i drogës nga Shkodra. Ai shtoi gjithashtu se Edi Rama refuzon komisionin hetimor për investimet strategjike sepse është përgjegjës për abuzimet me pronat publike.
Hapet kufiri Kosovë-Shqipëri, s’ka më ndalesa në fundjavë
Ditën e djeshme nisi zbatimi i marrëveshjes për hapjen tërësore të kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Çdo fundjavë gjatë sezonit veror në pikat kufitare nuk do të ketë asnjë ndalim për kontroll dokumentesh apo policor. Marrëveshja u arrit në mbledhjen e fundit të përbashkët të dy qeverive, që u mbajt më 20 qershor 2022 në Prishtinë. Në këtë mbledhje është rënë dakord që çdo fundjavë nga një qershori deri në 30 shtator mes Kosovës dhe Shqipërisë të mos ketë asnjë ndalesë në kufi.
“Rikthehet” pandemia Covid-19
Pandemia Covid-19 nuk ka mbaruar. Këtë na e kanë bërë të qartë bilancet e ditëve të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë që tregojnë një trend në rritje të rasteve me Covid-19. Të hënën në vend janë regjistruar 35 qytetarë të infektuar, asnjë humbje jete dhe 141 të shëruar. Dje, e shtunë 25 qershor, janë regjistruar 289 qytetarë të infektuar, asnjë humbje jete dhe 32 të shëruar. Siç shihet është një shumëfishim i infektimeve, por lajmi i mirë është se prej kohësh nuk është regjistruar asnjë vdekje për shkak të Covid-19. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në spitale po marrin trajtim 15 pacientë, ndërsa raste aktive në të gjithë vendin janë 1,644. Tirana mban rekord rastesh, mbi një mijë, ndërsa më pak nga të gjithë ka qarku Kukës, vetëm 3 raste aktive./albeu.com