Sot u prezantuan kreu i ri i SPAK, Altin Dumani, i cili do të drejtojë këtë institucion për 3 vitet e ardhshme.
Në fjalën e tij Dumani paralajmëroi një luftë kundër korrupsionit, ndërkohë që gazetarja Klodiana Lala në një pasqyrim të zgjedhjes se kreut të ri si dhe prezantimit të bërë ditën e sotme u ndal tek dy momente që sipas saj ihsin thelbësore të fjalës së tij.
Lala tha se Dumanin e presin sfida tepër të rëndësishme, siç janë hetimet për Gërdecin apo edhe çështjen e aferës së inceneratorëve.
“Duhet theksuar se zoti Dumani kishte dy momente thelbësore në fjalën e tij. Bashkëpunimin me të gjithë trupën e prokurorëve e konsideroi si fjalën kyçe dhe i shtriu dorën e bashkëpunimit zonjës Aida Hajna, drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe duhet theksuar se zoti Kraja ka pasur përplasje të forta me drejtuesen e BKH.
Kjo mesa duket vinte për faktin se BKH nuk ishte e plotë që në momentet e para. Zoti Dumani nuk la pa falënderuar edhe ndërkombëtarët dhe duhet theksuar se Dumani ishte kandidati që mbështetej nga partnerët ndërkombëtare dhe është vlerësuar si një njeri që mund të japë një ‘erë të rë’. Ky do të jetë moment thelbësor për të për të treguar që është i pandikuar dhe i pavarur.
Në Prokurorinë e Posaçme janë një sërë çështjes ku ka dyshime për përfshirje të politikanëve të lartë, që nga hetimi për ish-presidentin e Republikës Ilir Meta, çështja e Gërdecit, ku vetëm pak më parë ishte Aldo Buçmi për të dhënë dëshminë, çështja e inceneratorëve ku është duke u hetuar, ose kanë dalë fakte të reja për Arben Ahmetaj, çështja e sterilizimit apo edhe çështje të tjera që konsiderohen sensitive dhe me peshë të madhe. Mbetet për tu parë se si do të veprojë Dumani për t’i shtyrë këto çështje për të ecur përpara”, raportoi gazetarja Lala.