Presidenti i Partisë së Lirisë dhe ish-presidenti i vendit Ilir Meta, ka reaguar përmes një deklarate pas lajmeve të publikuara nga media se është thirrur nga SPAK për t’u marrë në pyetje.
Meta e cilësoi këtë zhvillim si një akt të organizuar nga “organizata kriminale SPAK”, duke deklaruar se është i gatshëm të përballet me çështjen.
“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t’u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk”, tha Meta.
Gjithashtu, ai theksoi se nuk ka asnjë problem të paraqitet në SPAK, duke theksuar se do të përfitojë nga rasti për të pyetur vetë prokurorët.
“Padyshim që do jem atje për t’i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme”, shtoi Meta.