Negociata me Ukrainën, kërcënon ish-kryeministri rus: Nëse Zelensky është ende gjallë…

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev  tha sot se e vetmja mënyrë që Moska të sigurojë përfundimisht një paqe të qëndrueshme me Ukrainën është të shtyjë kufirin e saj sa më shumë që të jetë e mundur.
Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, parashikoi në një mesazh në mediat sociale se “operacioni special ushtarak” i Moskës, siç e quajti ai, do të përfundonte me një fitore ruse.

“Ne do të arrijmë fitoren”, shkroi Medvedev në Telegram, duke siguruar se qëllimi është “të shtyjmë kufirin që kërcënon vendin sa më shumë që të jetë e mundur, edhe nëse është kufiri i Polonisë”.

Kreu i Këshillit të Sigurimit të Rusisë tha gjithashtu se motivimi i armiqve kryesorë të Rusisë është të dobësojnë vendin sa më shumë që të jetë e mundur, kështu që ata nuk janë të interesuar për t’i dhënë fund konfliktit.

Herwt a vonë Perëndimi do të negociojë për Ukrainën dhe atëherë duhet të ketë një lloj marrëveshjeje, e cila nuk ka të bëjë me kufijtë aktualë.

“Motivet e armiqve kryesorë të vendit tonë janë të dukshme: të dobësojnë sa më shumë Rusinë, të na gjakosin për një kohë të gjatë. Prandaj, ata nuk janë të interesuar për t’i dhënë fund konfliktit”, tha ai.

“Por herët a vonë, sipas ligjeve historike, do ta bëjnë. Dhe atëherë do të shfaqet një lloj marrëveshjeje. Sigurisht, pa marrëveshje themelore për kufijtë realë apo një Pakt të ri të Helsinkit për të garantuar sigurinë në Evropë. Vetëm një lloj marrëveshjeje”, shtoi Medvedev.

Sa i përket negociatave që do të zhvillohen, ish-kryeministri rus parashikoi se ato do të jenë “të vështira”, duke shtuar se të tjerët janë ata që do të vendosin në emër të Zelenskyt.

“Nëse sigurisht ai është ende gjallë deri atëherë…” tha ai.

Në mesazhin e tij sot, Medvedev e quajti përsëri qeverinë e Ukrainës “neo-naziste”, duke kryer “gjenocid” kundër rusishtfolësve të Ukrainës, retorikë që Kremlini ka përdorur sa herë që është e nevojshme për të kujtuar pretekstin që përdori fillimisht për të pushtuar Ukrainën.

Ne duhet të “pluhurizojmë neo-nazizmin. Që më vonë të mos e humbim kohën duke ndjekur këto banda në pyjet ruse”, shkroi në Telegram./Albeu.com/


Shtuar 24.02.2023 12:25