Gjyqtarët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kete te enjte hapen seancën dyditore në rastin e ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzoi Izraelin për gjenocid në luftën e tij në Gaza.
Izraeli e ka hedhur poshtë akuzën.
Afrika e Jugut i kërkoi gjyqtarëve që të vendosin urdhra paraprakë detyrues ndaj Izraelit, duke përfshirë ndalimin e menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza.
Presidentja e Gjykatës Joan E. Donoghue tha se Afrika e Jugut argumenton se veprimet izraelite pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – “kanë karakter gjenocidal” dhe se Izraeli “dështoi të parandalojë gjenocidin dhe po kryen gjenocid.”
Ajo tha se Afrika e Jugut, gjithashtu, pretendon se Izraeli shkel “detyrime të tjera themelore sipas Konventës për Gjenocid”.
Para fillimit të seancës, qindra protestues pro-izraelitë marshuan në afërsi të ndërtesës së gjykatës me pankarta ku shkruhej “Sillini në shtëpi”, duke iu referuar pengjeve që po i mban ende Hamasi. Mes turmave, njerëzit mbanin flamuj izraelitë dhe holandezë.
Jashtë gjykatës, të tjerë po protestonin dhe tundnin flamurin palestinez në mbështetje të Afrikës së Jugut.
Gjykata botërore, e cila vendos për mosmarrëveshjet mes kombeve, nuk e ka gjykuar kurrë një vend si përgjegjës për gjenocid. Rasti i fundit ishte në vitin 2007 kur ajo vendosi se Serbia “shkeli detyrimin për të parandaluar gjenocidin” në masakrën e korrikut 1995 nga forcat serbe të Bosnjës ndaj më shumë se 8.000 burrave dhe djemve të Srebrenicës.