Në burg për korrupsion, Lefter Alla kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Lartë. Alla, i akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim të detyrës” i ka bërë rekurs vendimit të Apelit të GJKKO që nuk zëvendësoi masën “arrest në burg” ndaj tij me një masë më të butë. Aktualisht dosja për Lefter Allën ka kaluar për gjykim në GJKKO.

Alla dhe 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të Bashkisë, u arrestuan për abuzimin me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Në pranga ka ra edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkelejda Lleshi.

Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri. Arrestimet janë bërë me urdhër të SPAK, ndërsa me 15 dhe 16 mars janë ushtruar kontrolle nga oficerët e BKH-së.

Objekt i kontrolleve ka qenë edhe shtëpia e vëllait të Lefter Allës, si edhe dhjetëra banesa të tjera. Dy prej të arrestuarve u lanë në arrest shtëpiak, ndërsa kryebashkiaku Lefter Alla ra në pranga mëngjesin e 16 marsit 2023. Sipas SPAK, bëhet fjalë për një tender rehabilitimi i ujërave të zeza të lagjes së vjetër të qytetit të Bulqizës.

Nga hetimet ka dyshime të forta se kryebashkiaku Alla, në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë Lleshi, si edhe punonjësit e tjerë kanë favorizuar dy kompanitë ‘BOE Egland shpk’, dhe ‘BE-IS shpk’, gjatë procedurës së prokurorimit publik. Ky favorizim i këtyre dy kompanive është bërë me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Koneshës.

Kryebashkiaku Alla në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë kanë miratuar kritere për të favorizuar dy firmat ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’ që morën pjesë në tender.

Pasi i shpallën fituese këto firma, punimet për uijësjellësin realizoheshin nga firma ‘OE 2AF Albania shpk’. Bëhet fjalë për tenderin “Ndërtimi rrjetit furnizimit dhe rrjetit shpërndarës Ujësjellësi dhe ndërtimi i rrjetit të KUZ , Lagja e vjetër, qyteti Bulqizë, Bashkia Bulqizë”, me vlerë rreth 3 mln euro, me afat kohor 10 mujor. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kanë si administrator Rasim Dacin, për ‘BOE Egland shpk’, ndërsa administratori i ‘BE-IS shpk’, është Kastriot Ibrahimaj.

Ndaj kryebashkiakut Alla dhe nënkryetares Lleshi rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Ndërkohë, ndaj të afërmit të Allës, Aqif Konesha rëndon akuzat për veprë penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Po për falsifikim dokumentesh akuzohen edhe dy administratorët, Rasim Daci dhe Kastriot Ibrahimaj, ky i fundit është lënë në arrest shtëpie./albeu.com/


Shtuar 29.11.2023 11:56