Ndryshimet klimatike: Bota po sheh dy herë më shumë ditë me temperatura mbi 50 gradë Celsius

Numri i ditëve jashtëzakonisht të nxehta çdo vit kur temperaturat arrijnë deri në 50 gradë Celsius, është dyfishuar që nga vitet 1980, ka zbuluar një analizë globale, shkruan BBC.

Kjo, sipas analizës, tregon se do të ketë sfida të pashembullta për shëndetin e njeriut dhe mënyrën se si jetojmë.

Numri i përgjithshëm i ditëve mbi 50C është rritur në çdo dekadë që nga viti 1980. Mesatarisht, mes viteve 1980 dhe 2009, temperaturat kaluan 50 gradë Celsius,  rreth 14 ditë në vit.

Numri u rrit në 26 ditë në vit midis 2010 dhe 2019.

Në të njëjtën periudhë, temperaturat prej 45 gradë Celsius dhe më lart ndodhën mesatarisht dy javë shtesë në vit.

“Rritja mund t’i atribuohet 100% djegies së lëndëve djegëse fosile”,  thotë Dr Friederike Otto, drejtor i asociuar i Institutit të Ndryshimit të Mjedisit në Universitetin e Oksfordit.

Ndërsa e gjithë bota ngrohet, temperaturat ekstreme bëhen më të mundshme.

Nxehtësia e lartë mund të jetë vdekjeprurëse për njerëzit dhe natyrën, dhe të shkaktojë probleme të mëdha në ndërtesa, rrugë dhe sisteme energjetike./albeu.com


Shtuar 14.09.2021 08:19