Ndryshimet e ligjit për Komisionet Hetimore, Tabaku: Mazhoranca e frikësuar kur opozita kontrollon

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka komentuar ndryshimet e kryera nga mazhoranca në ligjin për Komisionet Hetimore.

Tabaku shprehet se sipas saj këto ndryshime të njëanshme, tregojnë se “mazhoranca është e frikësuar kur opozita kontrollon”.

“Fatkeqësisht , Parlamenti kaloi këtë javë ndryshimet e njëanshme të ligjit për Komisionet Hetimore, të atij ligji në fakt që organizoi dhe punën hetimore të Komisionit Hetimor të Inceneratorëve. Qartësisht mazhoranca është e frikësuar kur opozita kontrollon.

Është e frikësuar sepse rezultati i atij Komisioni, sot ka çuar përpara drejtësisë nivelet më të larta: një zëvendësministër është në arrati ndërkombëtare dhe ndërkohë u desh një avokati publike e të gjithë socialistëve, të cilët e mbrojtën me vite e për muaj me rradhë. Sërish Komisioni Hetimor arriti të ketë rezultate.

Nga frika e këtyre rezultateve, nga frika e mbikëqyrjes dhe kontrollit, maazhoranca e ndryshoi ligjin duke shënuar një hap pas në mbikëqyrjen parlamentare, një hap pas ne pavarësinë e Parlamentit, një hap pas dhe në kontrollin por njëkohësisht në monitorimin që i ushtrohet Qeverisë.

Çfarëdo ligji që të bëjnë, çfarëdo ligji që të miratojnë, çfarëdo ndryshime që ti bëjnë ligjit për Komisionet Hetimore, nuk kanë për ti hequr dot të drejtën opozitës për të denoncuar dhe për të vazhduar njësoj ashtu si në aferën e inceneratorëve, për të çuar përpara drejtësisë aferat e qeverisë. Veçse ndryshimet e njëanshme mbeten po te njënashme, nuk ndihmojnë as procesin e integrimit, as zgjidhjen e krizës në Parlament dhe nuk ndihmojnë qartësisht as vendosjen e kontrollit dhe balancës që çdo demokraci normale duhet të ketë”, shpreeht ajo.