Ndeshja me Spanjën e fundit për Bernard Challandes?

Gjatë ditës së djeshme u zhvillua ndeshja Kosovë -Suedi në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.

“Dardanët” luajtën ndeshjen e parë në këto kualifikime, por jo gjithçka shkoj mirë, shkruan Syri.net Kosova.

Përgjatë 90 minutave Suedia shënoi tre gola, ndërsa Kosova nuk shënoi asnjë, duke pësuar kështu një disfatë të thellë, shkruan Syri.net Kosova.

Menjëherë pas ndeshjes ka folur trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, i cili ka thënë se ekipi pagoj gabimet e veta, derisa për ndeshjen e radhës me Spanjën ka theksuar se nuk është e lehtë të ndryshohet formacioni kundër një ekipi si Spanja, veçanërisht për shkak të mungesave në mbrojtje.

E se çka do të ndodhë me fatin e trajnerit të Kosovës, Bernard Challandes, pas këtyre rezultateve të dobëta, Syri.net ka kontaktuar me Eroll Salihun zëdhënësin e FFK-së, i cili ka thënë se po presin edhe ndeshjen me Spanjën.

“Ëshë ndeshja e parë kualifikuese, presim edhe ndeshjen me Spanjën. Nuk mund të flasim për trajnerin derisa të bindemi se ai nuk është adekuat, gjë që nuk është rasti”, është shprehur Salihu për Syri.net Kosova.

Të martën Kosova do të përballet me Spanjën në cilësinë e mysafirit, ku ky takim ndërmjet Spanjës dhe Kosovës do të zhvillohet në stadiumin “La Cartuja” të Sevillës.

Kjo ndeshje i takon Grupit B eliminator, të cilin e përbëjnë edhe Suedia, Gjeorgjia e Greqia.


Shtuar 29.03.2021 18:03