Ndërhyrja në kohë e policisë parandalon vrasjen në Fier

Policia e Fierit ka parandaluar në kohë një ngjarje që mund të kishte përfunduar në tragjedi. Sikurse njoftojnë blutë e Fierit, babë e mirë Fakim dhe Petrit Zyka, kanë pasur një konflikt me një fqinjin e tyre në fshatin Mbrostar Ura, konflikt, i cili përshkallëzoi deri në përdorimin e armëve, ku 30-vjeçari Zyka ka marrë armën e tij kallashnikov dhe ka shtënë në ajër si dhe ka kërcënuar fqinjin me të cilin kishin pasur konfliktin.

Pasi ka marrë njoftimin, policia ka mbërritur në kohë rekord në vendngjarje duke bërë të mundur arrestimin e menjëhershëm të 30 vjeçarit dhe të atit të tij, ndërsa ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij incidenti.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Fier / Policia parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me pasoja të rënda për jetën.

Reagimi i menjëhershëm dhe profesional i Policisë ka bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e 30-vjeçarit, i cili gjuajti në ajër dhe kanosi me armë zjarri fqinjin e tij.

Gjatë ndërhyrjes, Policia ka vënë në pranga edhe babain e 30-vjeçarit, pasi edhe ai posedonte një armë zjarri pistoletë.

Sekuestrohet arma e zjarrit automatik me fishekë në fole gati për qitje, arma e zjarrit pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, pas një telefonate të ardhur në Sallën Operative të DVP Fier se në fshatin Mbrostar Ura, një shtetas po qëllonte me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke parandaluar ngjarjen e mundshme kriminale.

Punonjësit e Policisë kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e shtetasit Fakim(Ilvan) Zyka., i cili pas një konflikti për motive të dobëta me fqinjin e tij, shtetasin M. K., 55 vjeç, e ka kanosur atë duke gjuajtur në ajër me armë zjarri automatik, nga oborri i banesës së tij.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u arrestua në flagrancë shtetasi Fakim(Ilvan) Zyka., 30 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, si dhe babai i tij, shtetasit Petrit Zyka, 59 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, i cili mbante pa leje një armë zjarri pistoletë.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, një pistoletë dhe një krehër me 18 fishekë.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Kanosja”.


Shtuar 25.07.2021 13:14