Pak minuta më parë, legjenda e futbollit shqiptar, Sabah Bizi, sapo ka ndërruar jetë. “Nderi i Kombit” ka mbyllur sytë, duke lënë pas një karrierë të ndritshme në futboll.
79-vjeçari, fitues i titujve kampionë dhe kupave me bluzën e Vllaznisë dhe Flamurtarit, debutoi në moshën 17-vjeçare në futbollin shqiptar.
Gjatë karrierës së tij, Sabah Bizi, ka qenë një nga figurat kryesore të kombëtares shqiptare, teksa të gjithë mbajnë mend përballjen e vitit 1967 me Gjermaninë (0-0) dhe duelin e tij me të madhin Beckenbauer, ndonëse ai ishte vetëm 19 vjeç.
Në atë përballje, Bizi, pasi ishte i shtruar në spital për disa ditë me radhë, u kërkua nga trajneri Loro Boriçi të ngrihej nga shtrati për t’u përballur me Beckenbauer dhe duke eleminuar Gjermaninë.
Pas lënies së futbollit, Sabah Bizi vazhdoi të ishte pranë këtij sporti, duke drejtuar fillimisht ekipin e Veleçikut të Koplikut.
Më pas, ka qenë për pak kohë trajner te Vllaznia, ku mbajti më vonë edhe detyrën e sekretarit të klubit, ndërsa ka punuar për shumë vite si trajner i moshave.
NDERI I KOMBIT
I njohur me epitetin si “Beckenbaueri shqiptar”, sot në Shkodër, Presidenti i Republikës, ne vitin 2020 i ka dhënë cmimin “Nderi i Kombit” legjendës së futbollit shqiptar, Sabah Bizi.
“Sabah Bizi, është një nga legjendat dhe talentet më të mëdha të futbollit shqiptar, titullar i ‘Vllaznisë’, i ‘Partizanit’ dhe i ekipeve tona Kombëtare, nga ata futbollistë, të cilët lindin shumë rrallë, që me punën, aftësinë e përkushtimin e Tij ka kontribuar në rezultatet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por dhe në rritjen e krenarisë dhe të imazhit tonë kombëtar.
Në treshen e artë të ‘Vllaznisë’: Bizi-Rragami-Zhega, ai ishte gjithçka në formacionin e saj, por gjithashtu edhe në Kombëtaret tona. Pa ngurrim mund të themi se Bizi është futbollisti më i gjithanshëm në historinë futbollit tonë“.