Mustafi, Gërmizi dhe Shefi i Krimeve tentuan të vrisnin 2 vëllezër që jetonin në Britani, oficerja e Interpol u jepte informacione

Foto: Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin numër 6

Detaje të reja mësohen nga operacioni i SPAK mbrëmjen e djeshme, 20 nëntor, gjatë të cilit ranë në pranga 6 persona, ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim.

Bujar Germizi dhe Besmir Mustafi kanë bashkëpunuar me shefin e krimeve në komisariatin numër 6, Dedan Gjoni dhe kanë tentuar të vrasin dy vëllezër që jetojnë në Britaninë e Madhe.

Ndërkohë Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit e cila po ashtu është arrestuar në kuadër të këtij operacioni, mësohet se gjatë kohës që punonte në Interpol u ka dhënë informacione nga sistemi për 2 vëllezërit që jetonin në Britani. Dyshohet se plani për vrasjen e 2 vëllezërve ishte bërë pas konflikteve për trafikun e lëndëve narkotike.

Çfarë ndodhi më 20 nëntor në Tiranë

SPAK lëshoi 11 urdhër-arreste më 20 nëntor 2023, për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal.

Në kuadër të operacionit u arrestua ish-zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djali i tij Eralbi Breçani. Babë e bir akuzohen për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash.

Po ashtu, u arrestua edhe Shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni. Ndaj shefit të krimeve janë ngritur disa akuza për vepra të rënda penale, një prej të cilave është ajo e sigurimit te kushteve për të kryer vrasje. Një ndër punonjësit e policisë që është shoqëruar është edhe Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit.

Urdhër-arreste janë lëshuar edhe për 6 punonjës dhe ish-punonjës të tjerë të policisë.

Në kërkim në kuadër të këtij operacioni që duket se është faza e dytë e operacionit “Metamorfoza”, është edhe biznesmeni Ervin Mata, një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që ka patur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018. Mësohet se Breçani ka lidhje familjare me Matën. Djali i Breçanit është i martuar me motrën e Ervin Matës.

Mbi 11 të dyshuarit për të cilët janë lëshuar urdhër arreste pas zbërthimit të mesazheve nga aplikacioni i koduar “SKY ECC” rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuat kriminal, trafik dorge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.

Operacioni është ende në vijim dhe pritet që të ketë një njoftim zyrtar për të dhënë më shumë detaje.

Të arrestuarit deri më tani nga operacioni

– Erzen Breçani, ish-drejtori i Policisë së Tiranës

-Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit

-Dedan Gjoni, Shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6

-Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit

-Besmir Mustati

-Bujar Germizi

/albeu.com