I “forti” i Kukësit, kush është Bujar Gërmizi: Dyshohet se ka ndihmuar Nuredin Dumanin të kalonte pa problem kufirin në Morinë

Bujar Gërmizi, që konsiderohet si i forti i Kukësit, dyshohet se ka ndihmuar Nuredin Dumanin, që edhe pse ishte në kërkim të kalojë disa herë pikën kufitare të Morinës duke hyrë në territorin e Kosovës dhe anasjelltas pa probleme.

Hetimet e kryera deri në këtë fazë nga prokuroria e posaçme SPAK, kanë zbuluar se Bujar Gërmizi, është njeriu që përmes ndërhyrjeve të tij në efektivët e policisë kufitare, mundësonte kalimin pa problem në pikën kufitare të Nuredin Dumanit, edhe pse ai ishte në kërkim për disa vrasje.

Madje dhe herën e fundit, kur i shumëkërkuari për disa vrasje ka mbërritur në muajin Mars 2022 në Shqipëri, ndihma në pikën e kontrollit i është dhënë pikërisht nga shtetasi Bujar Gërmizi.

Për këtë fakt SPAK dhe SHÇBA, kanë nisur një hetim për të parë dhe verifikuar policët e turnit që kanë “mbyllur sytë” në momentin kur përmes pikës kufitare ka kaluar Nuredin Dumani.

Vetë i penduari i drejtësisë e tregon ardhjen me urgjencë në Shqipëri, jo vetëm për faktin se kishte planifikuar të vriste, Elton Kilën ose “Otin e Elbasanit” dhe Talo Çelën, por edhe për shkak se baza e tij ku fshihej në Kosovë ishte zbuluar nga policia.

“…pasi u identifikova se ku isha, policia më ka rrethuar pallatin, me qëllim për të bërë arrestimin tim. Unë kam palos flokët, kam ndryshuar pamjen dhe kam dalë direkt nga apartamenti. Thjesht kam kaluar mes policisë. Ato më panë, por nuk ishin të sigurt dhe unë vijova, ika…”- ka deklaruar Nuredin Dumani.

Nga aty Dumani është larguar me makinë në drejtim të Prizrenit, dhe aty ka marrë një taksist i cili e ka çuar deri në Morinë. Sërish i shumëkërkuari, ka pajtuar kundrejt 40 eurove një taksist tjetër, duke i pohuar se i kishte humbur karta e identitetit dhe a mund ta kalonte në doganë.

Siç tregon Dumani në prokurori taksisti ka rënë dakord dhe ka kaluar pikën kufitare, pa pasur asnjë kontroll. Në këtë moment burime të prokurorisë së posaçme SPAK, thonë se Dumani është ndihmuar pikërisht nga  Bujar Gërmizi, i cili njihet në Kukës si person me reputacion në botën e krimit dhe ndikimin në policinë lokale.

Sapo ka kaluar kufirin, Dumani i ka shkruar Henrik Hoxhës, që të dilte për ta pritur në Milot, pasi po vinte në këtë zonë me një taksi private ngjyrë të zezë.

Takimi mes dy miqve është kryer pikërisht në Milot. Ndërsa më pas së bashku janë larguar në drejtim të Lezhës dhe mandej në zonën e ish-bllokut në Tiranë.


Shtuar 21.11.2023 09:20