“Mustafa është në Laç tani..”, Behar Bajri dhe Astmer Bilali kishin në shënjestër edhe politikanin e njohur në Shkodër

Në dosjen e SPAK, në të cilën janë nën hetim 16 persona për vrasje dhe tentativë vrasjeje, janë zbardhur detaje të reja. Në zbardhjen e dosjes “Metamorfoza”, u zbulua se pas ceremonisë së varrimit të Indrit Rrajës në 2020-ën do të ekzekutoheshin tre persona Ibrahim Lici, Dorian Duli dhe Genc Tafilit.

Por si duket planet nuk janë shtrirë vetëm në këto tre emra, por në shënjesër janë vendosur edhe familjarët e tyre. Në planet e Beharit dhe Astmerit, ka qënë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak Shkodër, Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit.

Gjatë një bisede në “Sky”, Behar Bajri komunikon me Astmer Bilalin dhe i tregon që “Mustafa (Lici), i ati i Ibrahim Licit” ndodhet në Laç të Vaut të Dejes. Informatori i grupit në këtë zonë i ka treguar Behar Bajrit, se Mustafa ishte parë së bashku me gruan, nga ora 09:00 e paradites.

Astmeri e pyet: “...A ja din vendin ku është…?”

Behari i tregon që: “...Ka qenë në Laç dhe e kanë parë duke u kthyer…

Por Astmeri i thotë se në çfarë shtëpie ka qënë dhe se s’mund ta kapnin kështu pa u përgatitur.

“…Duhet ta kemi informacionin më përpara që ta kapim se ndryshe nuk bëjmë dot punë…” – ia kthen Astmer Bilali.

Ndërkohë, përveç Ibrahimit, edhe Dorian Duli shihej si një person që shfaq rrezik për grupin Bajri, ndaj një rrjet i tërë me spiunë në polici dhe fshatrat përreth ishin aktivizuar për të gjetur vendodhjen e tyre.

Astmeri në vazhdimësi të bisedës i tregon që: “…Ja kam gjet hotelin atij (Dorian Dulit) ku ka qenë në jug. Kena lënë njerëz atje me pa, ishalla po e shohin atje…”

Behari i thot që: “…Ka qenë me një makinë audi ngjyrë kafe A3…”

Astmeri i shprehet që: “...Nuk ja di këtë makinë…”

Ky informacion për vendndodhjen e mundshme të Dorian Dulit në Himarë, i përcillet nga Behar Bajri dhe Pëllumb Gjokës, i cili më tej informon shefin e Krimeve në Shkodër, Ardrit Hasanbegajn, për të kryer verifikimet. Në 21 gusht 2020 në orën 00.02 Pëllumb Gjoka, komunikon me Ardit Hasanbegajn, ku Pëllumbi ja ka dhënë dhe emrin e hotelit se ku po qëndronte Duli ne Himarë.

Ardriti shprehet që: “…Po është në zonën e Himarës, e kemi kollaj se kemi atë shokun tim, në Vlorë e kontrollon “Juli”. Po nuk ka 100 hotele me këtë emër. Në zonën e Himarës po lidhem nesër vëlla, i themi këtij shokut t’i kontrollojë të gjitha nga janë njerëzit që janë nëpër dhomat e hotelit…”


Shtuar 14.08.2023 09:13