Për javën që presim përpara vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike me temperatura të “freskëta” në orët e natës dhe jo shumë të larta në ato të mesditës.
Në këtë mënyrë moti për të gjithë javën (nga e Hëna deri dhe të Premten) parashikohet i kthjellët dhe me plot orë me diell.
Megjithatë nga orët e mesditës deri ato të pasdites priten edhe vranësira të pakta deri mesatare kalimtare dhe kryesisht përgjatë relieveve kodrinore – malore në lindje të territorit.
Vranësirat në relievet e larta malore të vendit do të shoqërohen me shi të izoluar dhe të dobët.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut dhe deri ditën e Enjte përgjatë vijës bregdetare dhe lugina relativisht intensive dhe shpejtësi deri në 6-10m/s. Duke filluar nga dita e Premte itensiteti i erës bie. Drejtimi mbetet përsëri nga kuadrati i veriut por shpejtësi mesatare 1-3m/s dhe në bregdet e lugina me rrahje deri në 4-6m/s.
Duke iu referuar gjithnjë modeleve të hartave të parashikuara deri ditën e Enjte temperaturat në vlerat e mesditës pritet të jenë në vlera “normale” si për muajin Korrik. Duke filluar nga dita e Premte gradualisht vendi ynë pritet të përfshihet nga një tjetër valë e të nxehti dhe temperatura që pritet të “kapërcejnë” vlerat 37-38°C në rang vendi./albeu.com