Ministri Ekonomisë: Qeveria e Maqedonisë ka të drejtë t’i ngrijë çmimet

“Qeveria ka të drejtë t’i ngrijë çmimet. Këtu nuk ka asgjë të diskutueshme. Ligji i Tregtisë lejon që në situata të caktuara Ministria e Ekonomisë t’i propozojë Qeverisë ngrirjen apo përcaktimin e çmimit më të lartë për një produkt të caktuar. Kështu tha ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi,  në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Bekteshi akuzoi se në qytetin e Shkupit janë bashkuar disa kompani që prodhojnë bukë dhe përcaktojnë çmimet me të cilat e shpërndajnë dhe e shesin bukën nëpër supermarketet e mëdha. Ai i bëri thirrje Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës që t’i hetojë rastet.

”Jam i bindur se në qytetin e Shkupit janë bashkuar katër, maksimumi pesë kompani dhe përcaktojnë çmimet me të cilat e shpërndajnë dhe e shesin bukën nëpër supermarketet e mëdha. Në brendësi të Maqedonisë çmimi I bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë është më i ulët se 32 denarë dhe këtë e tregojnë raportet ditore që vijnë në Ministrinë e Ekonomisë”.

Ministri siguron se inflacioni këtë vit do të jetë më i ulët se rritja e pagave, duke përfshirë pagën minimale dhe pagën mesatare.

”Inflacioni i përgjithshëm nuk vjen vetëm nga produktet ushqimore. Ne po ndërhyjmë në sektorin e energjisë, do të ndërhyjmë në produktet ushqimore bazë, por sigurisht që ka edhe sektorë të tjerë që do të duhet të bëjnë punën e tyre. Inflacioni këtë vit do të jetë më i ulët se rritja e pagave, duke përfshirë pagën minimale dhe pagën mesatare”.

Lidhur me rritjen e çmimeve Bekteshi nuk dëshiron të bëj krahasime me rajonin. Sipas tij, Enti i Statistikave punon sipas një metodologjie të përafruar plotësisht me Bashkimin Evropian. Mënyra se si merren mostrat për të përcaktuar një përqindje të caktuar të rritjes ose uljes së çmimeve mund të ndryshojnë midis vendeve, veçanërisht vendeve joanëtare të BE-së.