Ministri i Jashtëm austriak, Aleksander Shalenberg gjatë një vizite në Sofje të Bullgarisë u shpreh se Vjena shpreson që negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në Bashkimin Europian të fillojnë në qershor.
Në një deklaratë për mediat Shalenberg tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndjekim rrugën europiane pasi interesat ruse nuk shtrihen vetëm në Ukrainë por dhe në rajon.
“Interesat ruse shtrihen jo vetëm në Ukrainë, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor,” paralajmëroi ai në Sofje.
Shalenberg i bëri këto deklarata pas një takimi që zhvilloi me Ministren e Jashtme bullgare Teodora Gençovska, e cila nga ana e saj u shpreh se Bullgaria ka mbështetje të vazhdueshme për rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Bullgaria ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të promovuar një klimë pozitive në marrëdhëniet dypalëshe me Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë inicimin e formateve për zhvillimin e zgjeruar të politikave sektoriale. Ne do të vazhdojmë të punojmë në ndërtimin e marrëdhënieve reale të fqinjësisë së mirë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, ato janë të mundshme vetëm me përpjekje të përbashkëta. Presim veprime konkrete dhe garanci nga Shkupi për zbatimin e përhershëm dhe të pakthyeshëm të Marrëveshjes së vitit 2017, si dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut me vetëdije bullgare”, tha ajo./albeu.com