Mickoski për dorëheqjen e Zaevit: Shumë herë nuk e ka përmbushur atë që e ka thënë

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski nuk pret që kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, të japë dorëheqje nga funksioni, sepse siç tha, Zaevi shumë herë në të kaluarën nuk e ka përmbushur atë që e ka thënë.

Kur bëhet fjalë për atë se kush mund ta trashëgojë Zaevin nga funksioni i liderit në LSDM dhe do të ishte mandatar i ri, Mickovski sot nga Ohri para mediave tha se nuk është puna e tij që të përzihet në punët e brendshme të partisë kundërshtare, sepse në LSDM vetë do të marrin vendim se si më tutje dhe me cilat vendime kadrovike.

“Ne jemi të përqendruar që të krijojmë të ardhme të re, të mos jetë vetëm e shkruar në letër, por me të vërtetë të ofrojmë. Tridhjetë vite njerëzit janë lodhur nga krimi, tenderët e kurdisur, korrupsioni… Ata me të vërtetë duan të shohin mëngë të përveshura dhe punë”, tha ai.

Në pyetjen e gazetarëve se a pret ndryshime në pozicionet e autoriteteve në Sofje pas zgjedhjeve, Mickovski publikisht i bëri thirrje qeverisë së re në Bullgarinë fqinje që t’i harrojë kërkesat hegjemoniste të paraardhësve të tyre dhe në frymën e vlerave evropiane të mos e bllokojnë shtetin në fillimin e bisedimeve me BE-në, sepse, siç tha, shteti dhe populli e meritojnë këtë.

Sa i përket krizës energjetike dhe shtrenjtimit të karburanteve Mickovski tha se nga drejtorët e ndërmarrjeve publike në komuna ka dëgjuar se çmimi i energjisë elektrike është dy deri tri herë më i lartë se më parë për shkak të, siç tha, “punës së papërgjegjshme të paraardhësve të tyre”.

Lideri i opozitës theksoi se inflacioni tashmë është realitet, të gjitha çmimet e produkteve janë ngritur, qytetarët këtë e shohin çdo ditë.

“Janë ngritur produktet themelore, qumështi, buka, vaji, gjithçka është shtrenjtuar. Inflacion ka, një pjesë është importuar, një pjesë është vendore për shkak të politikave të qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së”, tha ai.

Sa i përket kongresit të paralajmëruar të partisë për 12 dhjetor dhe zgjedhjes së liderit të ri, Mickovski tha se i inkurajon të gjithë aktivistët e partisë të cilët konsiderojnë se i përmbushin kushtet për funksionin e liderit sipas Statutit të partisë të regjistrohen.

Qëndrimi i Mickovskit dhe i partisë VMRO-DPMNE sa i përket masave të cilat i zbaton Komisioni për Sëmundje Ngjitëse mbetet i pandryshuar, se duhet të respektohet e drejta individuale dhe kushtetuese e garantuar e qytetarëve që të zgjedhin nëse do të vaksinohen.

“Masa e vetme që duhej të miratohej, ndërsa do të ishte funksionale, ajo është shpërbërje e menjëhershme e Qeverisë, zgjedhje të reja, ndërsa me këtë edhe të largohet ministri i Shëndetësisë dhe politikologu Karaxhovski”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Mickovski.


Shtuar 21.11.2021 15:48